Lajme Shqip Wednesday, 01 February 2012 18:00

Qeveria shqiptare angazhohet që të mos rrisë taksat ndaj bizneseve deri në vitin 2014. Kjo u konfirmua nga kryeministri Sali Berisha në mbledhjen javore me ministrat, ku  njoftoi miratimin e programit fiskal për vitet 2012-2014. Duke përsëritur vendosmërinë për të mos ndryshuar mënyrën e taksimit, kryeministri tha se ky program vjen në mbështetje të modelit ekonomik, që sipas tij, i ka garantuar vendit, stabilitetin dhe rritjen ekonomike që gëzon aktualisht.

Një drejtim kryesor që pritet të marrë vëmendje kryesore këtë vit do të jetë procesi i privatizimeve. Projekti i qeverisë parashikon zgjerimin e sektorëve nga të cilat shteti do të heqë dorë nga menaxhimi. Sipas kryeministrit, pas privatizimit të kompanisë së naftës ALBPETROL, në radhë janë hidrocentralet, pyjet dhe monumentet e kulturës.

Referuar pritshmërisë së qeverisë, fondet që mblidhen nga privatizimet do të kalojë në buxhetin e shtetit,për të shërbyer kështu edhe si një masë ndaj efekteve që mund të sjellë përkeqësimi i krizës ekonomike rajonale. Gjithashtu, kryeministri njoftoi miratimin e dy projektligjeve që lidhen me privatizimin e kompanisë së naftës Albpetrol.

Referuar vendimit të parë që parashikon privatizimin 100% të aksioneve shtetërore në këtë kompani, për 3500 naftëtarët që mbeten të papunë, përcaktohet se do të jetë ekzekutivi ai që do të vendosë për trajtimin financiar të tyre.