Lajme Shqip Wednesday, 10 August 2011 14:39

Tiranë – Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, ritheksoi sot se ekonomia shqiptare është modeli i suksesit. Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Berisha u ndal edhe në vlerësimin që bën INSEAD, Shkolla Ndërkombëtare Zvicerane e Biznesit për Botën, e cila në një studim të fundit e nxjerr Shqipërinë, ndër vendet me ekonomi më stabile.

Kryeministri Berisha tha se “rritja gjithnjë e më shumë e numrit të turistëve dëshmon se Shqipëria po bëhet magjia e turizmit”.

Berisha bëri të ditur se “që nga 1 janari deri në 8 gusht të këtij viti, 411 972 mijë shtetas të huaj kanë hyrë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”.

Kreu i ekzekutivit nënvizoi se “vetëm në datën 5 gusht në Shqipëri kanë hyrë 57 mijë turistë dhe vizitorë, pra në Shqipëri hyjnë 1/6 në një ditë e të gjithë turistëve dhe vizitorëve që kanë hyrë gjatë 2004”.

Sipas tij, kjo rritje është shumë premtuese dhe justifikon plotësisht profecinë e atyre që e shpallën Shqipërinë e bukura e dheut për vitin 2011.

Gjithashtu, kryeministri vuri në dukje se ky trend e shndërron turizmin në një në degët më kryesore të ekonomisë së vendit, ndërsa nënvizoi se “kemi për të zhvilluar dhe ndërtuar edhe 90% të bregut”.

Gjatë mbledhjes së qeverisë, Berisha e cilësoi me rëndësi edhe ndryshimin e legjislacionit për zonën bregdetare i cili do të përshtatet me filozofinë e re të zhvillimit të turizmit, ku bregu do të ndërtohet në zona rezidenciale. “Në këtë mënyrë për zonën bregdetare ne realizojmë dy qëllime madhore, së pari kombi drejt detit. Ky është shansi historik i ynë. Ne duhet të bëjmë që kombi të kthejë sytë nga deti”, deklaroi Berisha.