Lajme Shqip Friday, 15 July 2011 08:15

Tiranë – “Ambicia e qeverisë vazhdon të mbetet kthimi i Shqipërisë në një qendër energjetike eksportuese në rajon dhe në Evropë”, tha sot Kryeministri Sali Berisha, gjatë një takimi me Drejtorin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Slavtcho Neykov.

Sipas zyrës së shtypit të kryeministrisë, Berisha priti dje në një takim Drejtorin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Slavtcho Neykov, i cili vlerësoi rezultatet e shkëlqyera në sektorin e energjisë dhe veçanërisht për promovimin e projekteve për energji të rinovueshme në Shqipëri.

Ai përgëzoi, gjithashtu, Kryeministrin Berisha për punën e bërë në drejtim të kuadrit ligjor, i cili mbështet dhe nxit projektet e energjisë së rinovueshme.

Zoti Slavtcho Neykov vlerësoi se bashkëpunimi i qeverisë shqiptare me Komunitetin e Energjisë në lidhje me përgatitjet e ligjit për energjinë e rinovueshme ka qenë shumë i suksesshëm dhe do të vazhdojë më tej për të pasqyruar dhe eficencën e energjisë.

Ai i tha Kryeministrit Berisha se “duke qenë se Shqipëria është një vend i dalluar për progresin që ka bërë në lidhje me përdorimin e energjisë të rinovueshme, Komuniteti i Energjisë do të organizojë një ditë të veçantë për Shqipërinë për të promovuar rezultatet e saj dhe për të nxitur investitorët të financojnë projektet në këtë fushë.

Kryeministri Berisha e falënderoi Drejtorin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë për mbështetjen dhe ndihmën e dhënë në fushën e energjisë, sidomos në përgatitjen e legjislacionit përkatës.

Kryeministri theksoi se për qeverinë shqiptare zhvillimi i sektorit të energjisë ka qenë dhe është absolutisht një prioritet, i cili do të vazhdojë të zgjerojë gamën e projekteve dhe reformave që nxisin zhvillimin e shpejtë të tij.

Krahas reformave në fushën ligjore dhe fiskale, u shpreh Kryeministri, qeveria vazhdon të ndërmarrë reforma të tjera rregullatore, të cilat do të nxisin projektet për eficencën e energjisë.

Kryeministri Berisha theksoi se, bashkëpunimi i qeverisë shqiptare me Komitetin e Energjisë është i rëndësishëm për vendin, ndaj ai dhe qeveria do të vazhdojnë ta thellojnë edhe më tej këtë bashkëpunim.