Lajme Shqip Monday, 21 March 2011 13:40

Tiranë – “Shndërrimi i Shqipërisë në një superfuqi të vogël energjetike në rajon mbetet synimi kryesor i qeverisë”, tha sot, Kryeministri Sali Berisha në konferencën “Mbi Energjinë e Rinovueshme”, që u zhvillua në Hotel Sheraton, në Tiranë. 
Kryeministri Berisha theksoi se “fokusimi dhe përqendrimi tek energjia e rinovueshme përputhet plotësisht me prioritetet më madhore të qeverisë shqiptare”. 
“Shqipëria është një vend i vogël, por me burime të mëdha të energjisë së rinovueshme”, tha Berisha, ndërsa theksoi se “2/3 e rezervave ujore në Shqipëri mbeten për tu shfrytëzuar”.
“Ne derdhim në detrat e Mesdheut 6 herë më shumë ujëra, se sa është sipërfaqja e vendit. Shqipëria është vendi më malor në Europë, por i bekuar sepse malet e tij janë të pasura me ujëra më shumë se kudo tjetër”, tha Kryeministri.  
Sipas tij “Shqipëria ka një potencial edhe më të madh, pasi po të kemi parasysh teknologjitë dhe projektet e reja, kapacitetet prodhuese të rezervave ujore të pashfrytëzuara janë shumë të mëdha”. 
Berisha vlerësoi kontributin e partnerëve financiarë botërorë në zhvillimin e sektorit energjetik në Shqipëri.
“Banka Gjermane për Zhvillim (KfW) me institucionet e tjera është e para që ka ndërmarrë projektet rajonale energjetike shumë të rëndësishme. Biznesi austriak ka aktualisht projektet më të mëdha dhe më të rëndësishme në fushën e energjisë, ndër të cilat veçoj kaskadën e Devollit dhe HEC-in e Ashtës”, tha Berisha. 
Ai theksoi gjithashtu se Koorporata Financiare Ndërkombëtare (IFC) është një partner i shkëlqyer i qeverisë shqiptare në shumë fusha, por në mënyrë të veçantë në fushën e energjisë. 
“Me ndihmën e çmuar të saj, në Shqipëri është realizuar privatizimi i shpërndarjes së energjisë dhe një nga koncensionet më të mira, HEC-i i Ashtës”, vijoi Berisha. 
Kryeministri kujtoi se “me një ligj të miratuar 3 vjet më parë, qeveria ka firmosur kontrata për ndërtimin e rreth 220 HEC-eve, por shtoi se “janë për t’u ndërtuar rreth 445 HEC-e të mesme dhe të mëdha, ndërsa të vogla mund të jenë me mijëra”.
Kryeministri vlerësoi rëndësinë e këtij takimi që i kushtohet kuadrit rregullator dhe jep një kontribut të madh edhe në nxitjen dhe inkurajimin e investimeve në këtë fushë. 
“2 vjet më parë në Kopenhagen unë mbylla  fjalën time me një apel drejtuar të pranishmëve që të konsiderojnë në mënyrën më serioze financimet e projekteve në Shqipëri, pasi ky mund të jetë ndoshta vendi i parë në Europë që mund të ecë tërësisht me energji të rinovueshme”, tha Berisha.
Ai theksoi se sot janë në ndërtim rreth 36 HEC-e dhe shumë të tjerë që presin financime.
“Qeveria është e gatshme të vendos kuadrin ligjor më të mirë dhe inkurajues për ndërtimin e tyre, por ftoj gjithashtu bankat e mëdha të ndjekin shembullin e IFC-së dhe konsiderojnë financimin e këtyre projekteve në sektorin privat”, tha Berisha.
Sipas tij, “kjo përbën një kontribut të madh në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, por edhe në potencialin e madh eksportues të Shqipërisë”. 
Konkretisht, Berisha theksoi se potenciali i Shqipërisë në fushën e prodhimit të energjisë nga era është shumë i madh. “Ne kemi licensuar deri tani 1700 megavat. Natyrisht kuadri i përshtatshëm ligjor është jetik për zhvillimin e këtij sektori”, tha ai.
Gjithashtu, Berisha theksoi se Shqipëria ka potencial të madh për energjinë diellore si dhe për biomasën. 
“Qeveria mbetet e vendosur në drejtim të energjisë ujore, por konsideron edhe diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë, pasi siç faktohet në mëyrë të përsëritur, natyra ka të papritura dhe supriza të mëdha ndaj të cilave çdo vend duhet të jetë i pregatitur”, tha Berisha.
Në këtë drejtim, ai theksoi se “Qeveria do adaptojë sistemin ligjor më të mirë për blerjen e energjisë së rinovueshme, duke i dhënë garancitë më të mëdha të mundshme biznesit dhe investimeve”, tha Berisha.
Ai ftoi investitorët e huaj të shtrijnë investimet e tyre në sektorin energjetik në Shqipëri, ndërsa i siguroi se financimet e tyre do të jenë “histori e vërtetë suksesi”. 
“Për klimën e investimeve në tërësi, Shqipëria renditet e 5-7  për qind më lartë se mesatarja e vendeve të OECD-së, ndërsa në regjistrimin e biznesit renditet 27 për qind më lartë se mesatarja e vendeve të OECD”, tha Berisha, ndërsa theksoi si sukses, ngritjen e Qendrës Kombëtare të Licencave, ku u përfshi edhe sektori energjetik.