Lajme Shqip Saturday, 05 November 2011 11:00

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha deklaroi të premten në mbrëmje se p/buxheti i shtetit për vitin 2012 është më i madhi në historinë e vendit dhe ka si objektiv kryesor garantimin e stabilitetit makroekonomik, si përparësi në kohën e një krize, ndoshta më të rëndën në historinë e Evropës.

Gjatë mbledhjes jashtë radhe të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha prezantoi disa nga përparësitë kryesore të p/buxhetit të hartuar nga ministria e Financave, i cili, siç u shpreh ai, është i bazuar në objektivat e garantimit të stabilitetit të të gjithë treguesve më optimalë të mundshëm të stabilitetit makroekonomik.

“Nuk do të ketë rritje të borxhit, por vetëm ulje të tij, do të ketë ulje të deficitit buxhetor dhe nuk mund të ketë parashikime të tjera përveçse atyre që përputhen me praktikën më konservatore”, deklaroi kreu i qeverisë.

Krahas kësaj, që përbën themelin e buxhetit, vijoi Berisha, ne kemi vendosur ta përqendrojmë buxhetin në objektivat tonë më madhorë, duke veçuar rritjen e pagave dhe pensioneve. “Ne jemi të bindur se rritja e studiuar e pagave dhe pensioneve përbën një akt shumë të rëndësishëm në politikën e investimit të burimeve njerëzore si dhe në fytyrën njerëzore të qeverisë”, tha Berisha.

Sipas tij, viti 2012 nuk është një vit elektoral dhe ata po vijojnë me rritjen e pagave dhe pensioneve.
“Ne nuk e bëjmë këtë për qëllime elektorale, siç është përpjekur në mënyrën më të përsëritur opozita të cilësojë politikën e rritjes së pagave dhe pensioneve. Uroj që të biem dakord në parim dhe kësaj radhe, pasi kanë votuar që nga 2005 kundër rritjes së tyre, ta bëjnë zemrën gur dhe të votojnë në favor të kësaj nisme”, deklaroi Berisha.