Lajme Shqip Monday, 07 November 2011 18:38

Vitin e ardhshëm qeveria shqiptare do të autorizojë përdorimin e gjeneratës së katërt të komunikimeve celulare.

Në fjalën e  tij gjatë Konferencës për Zhvillimet Elektronike në Europën Juglindore të mbajtur në Tiranë, kryeministri Sali Berisha paralajmëroi hapjen e garës për teknologjitë 4G në vitin 2012.

Megjithëse synon të hedhë një hap të shpejtë drejt teknologjisë 4G, Shqipëria ende nuk ka liberalizuar plotësisht shërbimet 3G dhe deri më sot janë dhënë vetëm dy licenca nga katër të mundshme.

Gjithashtu, zoti Berisha premtoi se në një kohë të shkurtër, në të gjithë territorin e vendit, do të ofrohet internet me brez super të gjerë, falë ndërtimit të rrjetit kombëtar broadband.

Gjatë vitit 2012, qeveria shqiptare do të zbatojë 125 projekte të reja në kuadrin e strategjisë së Shqipërisë dixhitale, me synim zgjerimin e mëtejshëm të përdorimit të teknologjive të informacionit dhe komunikimit.