Lajme Shqip Tuesday, 29 March 2011 16:04

Tiranë – Konsolidimi dhe zgjerimi i mëtejshëm i investimeve të kompanive kuvajtiane në Shqipëri, ishte tema kryesore e takimit midis Kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Kuvajt, Waleed Al Tabtabaei, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë në krye një delegacioni parlamentar.
Zyra e shtypit e Kryeministrisë bëri të ditur sot se gjatë takimit me delegacionin kuvajtian, Berisha shprehu mirënjohjen e thellë të qeverisë për mbështetjen e vazhdueshme të Kuvajtit dhe për ndihmën e çmuar që i ka dhënë vendit tonë në shumë sektorë të rëndësishëm.
Në takim u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve dhe u shpreh gatishmëria për intensifikimin e tyre në të gjitha fushat. Kryeministri vlerësoi punën e shkëlqyer të Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Kuvajt dhe kontributin e vyer në forcimin e miqësisë dhe marrëdhënieve dypalëshe.
Në takim u diskutua edhe për krijimin e mundësive për qytetarët shqiptarë që dëshirojnë të punësohen në Kuvajt, përmes vendosjes së një linje ajrore direkt Shqipëri-Kuvajt si dhe zgjerimin e shkëmbimeve kulturore midis dy vendeve.
Anëtarët e parlamentit kuvajtian siguruan Kryeministrin Berisha, se Kuvajti po punon intensivisht edhe për njohjen sa më të shpejtë të shtetit më të ri europian, Republikës së Kosovës.     
Pasi i bënë me dije Kryeministrit se do të zhvillonin një vizitë edhe në Kosovë, ata i shprehën njëkohësisht vlerësimin e lartë për rrugën e kombit, të cilën e quajtën një vepër madhështore që do t’i shërbejë zhvillimit e rritjes të shkëmbimeve ekonomike midis dy vendeve, por edhe bashkëpunimit në rajon.