Lajme Shqip Monday, 04 April 2011 12:15

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot, se “treguesit e ekonomisë shqiptare gjatë tremujorit që lamë pas rezultojnë më të lartë se kurrë më parë”.

Grupi parlamentar i PD-së nisi mbledhjen e sotme me një minutë heshtje në nderim të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Reshat Bardhit.

Në vijim kryeministri Berisha u ndal te ecuria e ekonomisë së vendit, ku theksoi se “ky tremujor mbyllet me rezultate konkrete ekonomike në prodhim dhe në të ardhura më mirë se çdo tremujor tjetër në historinë e vendit”.

Berisha theksoi se eksportet në këtë tremujor kanë një rritje totale prej mbi 68 për qind, në të cilat rritja e eksporteve “Made in Albania” përbën pjesën më të madhe.

Ai shprehu bindjen se vendimi i fundit i qeverisë për të hequr tërësisht tarifën për mallrat e importuara nga sipërmarrja fason dhe rieksportin e tyre si prodhime më pas është një masë që do të ndihmojë shumë shndërrimin e këtyre ndërmarrjeve, në ndërmarrje prodhuese eksportuese tërësisht shqiptare.

Sipas tij, ky vendim do të ndikojë fuqishëm në krijimin e dhjetra mijëra vendeve të reja të punës, ndërsa përbën edhe një ftesë dhe inkurajim të madh që investitorët e kësaj industrie nga mbarë bota të vendosen në Shqipëri.

“Një rëndësi të veçantë ka performanca e të ardhurave, e cila krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar është shumë e mbarë. Kjo do të thotë se qeveria, duke respektuar plotësisht të gjithë treguesit e parashikuar makroekonomik, do të jetë në gjendje ti përgjigjet pikë për pikë rritjes së rrogave, pensioneve dhe ndihmës ekonomike”, tha Berisha.

Ai theksoi se Shqipëria është ndër vendet e pakta në Europë dhe botë dhe po vijon me politikën e rritjes së rrogave dhe pensioneve, pasi në shumë vende të tjera vazhdon ulja masive e tyre.

Kryeministri theksoi se “performanca ekonomike nuk garanton vetëm rrogat dhe pensionet, por edhe përmbushjen e të gjitha projekteve të mëdha dhe të vogla të shpallura për këtë vit”.