Lajme Shqip Friday, 15 July 2011 20:00

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha, zhvilloi sot një takim me një delegacion prej 22 sipërmarrësish e organizatash italiane të rajonit të Piemontes dhe përfaqësuesish të Konfindustrisë Shqiptare.

Zyra e shtypit e qeverisë bëri të ditur se në takim u diskutua rreth mundësisë së ngritjes së një sistemi të garancisë financiare përmes bashkëpunimit të një banke shqiptare me një italiane, me qëllim garantimin e investimeve italiane të suksesshme në Shqipëri.

Rajoni i Piemontes, si një ndër rajonet më të pasura të Italisë e më gjerë, përmes 60. 000 ndërmarrjeve të regjistruara atje, ushqen një interes të madh për të investuar në Shqipëri, përmes bashkëpunimit edhe me bizneset shqiptare.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, së shpejti në Torino do të hapet edhe zyra e Konfindustrisë-Albania, një ngjarje në të cilën u ftua të marrë pjesë edhe Kryeministri Berisha.

Gjithashtu, nga përfaqësuesit italianë u theksua edhe nevoja e themelimit të një parku industrial me qëllim krijimin e kushteve më të mira për sipërmarrjet italiane, që sjellin ide e ndërmarrin iniciativa të mira për zhvillim.

Kryeministri Berisha vlerësoi interesin që grupi i biznesmenëve paraqet për investimin në Shqipëri, duke garantuar se qeveria shqiptare do të mbështesë iniciativat që do të rrjedhin nga ky bashkëpunim dhe i njohu investitorët italianë me mundësitë e pafundme që ofron Shqipëria për sa i përket investimeve, duke nisur nga fusha e energjisë se rinovueshme, turizmi malor e deri te sipërmarrjet e përpunimit të vajit të ullirit apo të arroreve.

Kryeministri u shpreh se kjo mundësohet  në sajë të një klime të favorshme të krijuar në tërësi, në ndihmë të biznesit, si dhe të një kuadri rregullator shumë lehtësues për mjedisin e biznesit.