Lajme Shqip Thursday, 31 March 2011 10:50

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot, se “në kohën e krizës financiare botërore, monedha shqiptare u përball me dinjitet me dy prej monedhave më të fuqishme të planetit, euron dhe dollarin, duke dëshmuar stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të vendit”.

Kryeministri Berisha mori pjesë në ekspozitën e Bankës së Shqipërisë, që u çel sot me rastin e 85 vjetorit të emetimit të monedhës së parë shqiptare.

Në fjalën e tij, Berisha theksoi se “leku shqiptar qëndron denjësisht krahas monedhave të tjera simotra të rajonit dhe monedhave më të mëdha dhe të fuqishme të Europës dhe botës, si një monedhë që ecën drejt sistemit monetar europian me dinjtet të vërtetë”.

Duke e cilësuar monedhën shqiptare si “pasaporta e shtetit”, Berisha përshëndeti të gjithë koleksionistët që bënë të mundur çeljen e kësaj ekspozite, me vlerat monetare të 85 viteve të fundit.

“Monedha është një simbol krahas hymnit dhe flamurit të një shteti. Monedha është një gjallesë e vërtetë, edhe pse e prerë në metal apo letër, asgjë nuk ndjek më besnikërisht udhën e shtetit, të kombit apo shoqërisë, zhvillimin dhe pulsin e ekonomisë dhe zhvillimit në tërësi”, tha Berisha.

“Leku shqiptar ka ndjekur fatin e kombit dhe zhvillimin ekonomik të vendit”, tha ai.

Berisha vlerësoi se që nga emetimi i monedhës shqiptare dhe deri në fundin e luftës, ajo ia doli të renditej dinjitoze krahas monedhave të tjera të rajonit, duke u shndërruar në një promotor të fuqishëm të zhvillimit të vendit.

“Pas lufte monedha shqiptare u shndërrua në një letër me vlerë fiktive për 45 vjet me radhë dhe nuk shprehu as edhe një ditë të vetme, të vërtetën e ekonomisë, zhvillimit e pulsit të saj. Monedha shqiptare ishte ndër të parat që u vu nën urdhrat dhe çizmet e diktaturës, ashtu sikurse ishte  para që dëshmoi pas hapjes së vendit, situatën e ekonomisë shqiptare”, vijoi Berisha.

Duke bërë historikun e monedhës shqiptare pas viteve ’90, Berisha tha se krahas zhvillimit të inisiativës së lirë të shqiptarëve dhe proceseve themelore të kohës, që e transformuan ekonominë e falimentuar në një ekonomi të tregut të lirë, monedha rimori veten e saj dhe doli nga agonia gjysëm shekullore ku kishte mbijetuar, duke u shndërruar në një monedhë të respektuar, avokate dhe simbol i zhvillimit ekonomisë së vendit.

“Vitet e fundit kanë qenë vitet e reformës më të madhe në historinë e monedhës shqiptare. Një nga vendimet e  para të qeverisë ka qenë liberalizimi i kursit. Në vitet e tsunamit financiar botëror, monedha shqiptare u përball me dinjitet me presionet e paimagjinueshme dhe luhatjet e kursit të dy prej monedhave më të fuqishme të planetit, dollarit dhe euros”, tha Berisha.

Kryeministri vuri në dukje se leku shqiptar u përball edhe me një agresion shumë të pandershëm politik gjatë viteve të fundit. Sipas tij “të sulmosh çdo ditë monedhën në kohërat më të vështira për sistemin monetar europian dhe botëror, do të thotë të sulmosh çdo ditë xhepat dhe kontot e qytetarëve shqiptarë”.

“Megjithatë leku i kapërceu të gjitha këto situata dhe vjen sot, jo si monedha më e vjetër e Europës, por si një monedhë dinjitoze. Ditën që do të hyjë në sistemin monetar europian, leku do të jetë një “zonjë sovrane” që ka vendosur të bashkohet me sistemin europian monetar në interesin më të mirë të kombit, vendit dhe shtetit, pasaportë e të cilit ajo është”, tha në përfundim Berisha.