Lajme Shqip Monday, 26 March 2012 11:15

Tiranë-Kryeministri Sali Berisha u bëri thirrje sot kryetarëve të komunave dhe bashkive të vendit që të shumëfishojnë përpjekjet për një zhvillim të qëndrueshëm të vendit.

Në konferencën kombëtare “Qeverisje vendore e fortë dhe efektive nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit drejt qeverisjes së mirë”, të organizuar nga Këshilli i Evropës, Kryeministri kërkoi nga krerët vendorë konsolidimin gjithnjë e më shumë të një qeverisje të mirë për përballjen me efiçencë të problemeve.

“Projekti ynë kryesor është Shqipëria vend i zhvilluar, Shqipëria europiane, Shqipëria që u ofron qytetarëve të saj kushte dhe rrethana jetese të standardeve europiane,  kusht ky kryesor për realizmin e atij projekti që është më i madhi në këtë shekull për shqiptarët, anëtarësimi i vendit në BE. Në këtë përpjekje të madhe asgjë s’ka më të rëndësishme se efiçenca e qeverisjes vendore. Në këtë kontekst, autonomia juaj është kushti më i rëndësishëm për të konsoliduar demokracinë në Shqipëri”, iu drejtua kryeministri drejtuesve lokalë.

Sipas Kryeministrit, “janë rritur disa herë financimet për qeverisjen vendore, është vendosur një partneritet i shkëlqyer mes qeverisë qëndrore dhe vendore në fushën e  investimeve. Janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm në fushën fiskale, është vlerësuar autonomia në menaxhmin e territorit”.

“2 muaj më parë qeveria kaloi ligje që u njohin këshillave të komunave dhe bashkive të drejta që më parë i kishte vetëm Parlamenti”, tha Berisha. Duke folur mbi procesin e partneritetit publik privat, Kryeministri këshilloi drejtuesit lokalë të  ndjekin shembullin e Tiranës për mënyrën e qeverisjes.

“Qeveria ime është e vendosur të bashkëpunojë me ju, të thellojmë më shumë autonominë e qeverisjes suaj. Tirana ka filluar procesin e partneritetit publik privat. Ky shembull të merret nga të gjitha njësitë e tjera vendore, pasi përbën një avantazh të madh për ju. Jam i vetëdijshëm që problemet kryesore tuajat janë ato financiare, por në përpjekjen e parë që qeveria vendosi të kalojë taksat e biznesit të vogël nën administrimin e vendorëve, mund të them që në tërësi nuk pati sukses”, komentoi Berisha.

Sipas Kryeministrit, përveç taksës së biznesit të vogël, një tjetër taksë e menaxhuar nga autoritetet vendore, është taksa e pronës, mbledhja e së cilës është në limite të paprapanueshme. Duke folur mbi fondin e rajoneve Kryeministri u shpreh se ky fond kërkon që të harmonizojë investimet dhe të konsolidojë rajonin. “Në këtë fond, zëri juaj është zëri i parë. Projektet tuaja janë projektet që do të miratohen sipas përparësive”, tha Berisha.

Kryeministri Berisha ka kërkuar nga të zgjedhurit vendorë të vendosin standartet më të mira për mbrojtjen e mjedisit. Kryeministri Berisha theksoi se kryetarët e bashkive dhe komunave duhet të kthehen në gardianë të mbrojtjes së mjedisit. Ndërsa ka rikujtuar se shoqëria jonë përpara 20 vitesh ka qënë rurale, kryeministri kërkoi nga vendorët të mos udhëhiqen nga psikologjia rurale, por të vendosin standardet më të mira për mbrojtjen, pastrimin dhe zhvillimin e mjedisit. (LajmeShqip.com)