Lajme Shqip Friday, 18 November 2011 20:00

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha mori pjesë sot, në inagurimin e impiantit të ri të biokarbureve në Porto Romano, Durrës, ku theksoi se “ky investim është në serinë e investimeve të tjera të huaja dhe dëshmon suksesin e përpjekjes tonë për të shndërruar Shqipërinë në vendin më miqësor dhe më tërheqës për investimet e huaja”.

Gjithashtu, Kryeministri Berisha kundërshtoi edhe alencën kundër plehrave, e cila sipas tij, nuk ka të ardhme por është një aleancë e dëshpëruar.

“Dua t’u them antiglobalistëve se nuk keni të ardhme, se aleanca juaj e fundit, të cilën qytetarët rëndom po e cilësojnë si “Aleancë e plehut “, është aleancë e dëshpëruar, e pashpresë, se ju nuk promovoni aspak mjedisin e shëndetshëm. Nuk bëni gjë tjetër, vetëm kërkoni të rrëmoni vota në plehra dhe ato nuk do ti gjeni, sepse ne do të bëjmë gjithçka që ky vend të jetë çdo ditë e më i pastër, që ajri, uji e toka e këtij vendi të jenë gjithnjë e më të shëndetshëm”, tha Berisha.

Kryeministri Berisha ka kundërshtuar sërish edhe programin e ri të PS-së për rritjen e taksave ndaj të pasurve. “Ata të cilët besojnë se do të zhvillojnë vendin duke iu vërsulur me taksa të pasurve, u rikujtojnë shqiptarëve një kohë të cilën ata kurrë nuk do ta pranojnë më”, theksoi Berisha.

Duke i’u rikthyer impiantit të ri të biokarbureve, Berisha tha se, “ky impiant është frut i një bashkëpunimi të përbashkët të dy kompanive, i kompanisë shqiptare “Kastrati” e njohur prej shumë vitesh në fushën e karburanteve dhe kompanisë “Businelo”, tha Berisha.

Kryeministri theksoi se, ky është një investim prej rreth 5 milionë euro me një kapacitet prodhues rreth 100 mijë tonë në vit.

“Kjo kompani ka filluar që tani të identifikojë brenda vendit sipërfaqet e nevojshme të lulediellit, (konzës) dhe bimëve të tjera, të cilat përdoren gjerësisht për prodhimin e biodizel. Kompania ka nisur punën për çertifikimin e prodhimeve së saj dhe së shpejti, Shqipëria do të jetë një eksportues biodizeli në Itali dhe Europë”, siguroi Berisha.

“Gjashtë vjet më parë, kur ne shpallëm platformën tonë “Shqipëria vendi më tërheqës për investimet e huaja”, Shqipëria ishte vendi që për tetë vite me radhë kishte patur si mesatare investimesh të huaja gjithsej 38 milionë dollarë në vit. Shqipëria tre vitet e fundit të marra së bashku ka patur investime të huaja çdo vit rreth 1 miliard dollarë”, tha Kryeministri.

Në këtë kontekst, Berisha garantoi investitorët vendas e të huaj se, “me këto arritje, ne nuk do mbetemi të kënaqur. Ne do të bëjmë gjithçka që Shqipërinë ta bëjmë gjithnjë e më tërheqëse për ta, do bëjmë gjithçka për investitorët vendas e të huaj, që projektet e tyre të shndërrohen në histori të mëdha të vërteta suksesi”.

“Shqipëria është nga ato të paktat vende që ka fatin e madh që në një të ardhme jo të largët të mund të shndërrohet në një superfuqi energjetike rajonale të energjisë së rinovueshme”, tha Berisha.

Sipas Kryeministrit, “Shqipëria ka liçensuar ndërtimin e parqeve të madha eolike deri tani rreth 1600 megavat, ndërkohë që 3200 megavat të tjera janë në studim e sipër. Shqipëria është vendi më diellor i këtij rajoni dhe ndoshta i Europës, ndaj është e hapur për energji diellore.

“Ne”, vijoi Berisha, “jemi me fat se mund të bëhemi vendi i parë eksportues i rëndësishëm i energjisë së rinovueshme në rajon dhe më gjerë. Zhvillim ky jetik për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, për shëndetin e qytetarëve, direkt i lidhur me jetëgjatësinë e tyre.

“Për qeverinë time, mjedisi dhe ruajtja e tij përbën një përparësi madhore, ndaj dhe ne kemi marrë dhe do të marrim të gjitha masat lehtësuese për investimet në tërësi dhe investimet në këtë fushë në veçanti”, tha Berisha.

Kryeministri ftoi të gjithë qytetarët dhe OJF-të që të tregojnë vëmendjen më të madhe ndaj mjedisit, ruajtjes dhe zhvillimit të tij. Berisha garantoi se ndjehet njëri prej tyre dhe së bashku me ta do të bëjë gjithçka që në këtë vend të përmirësohen gjithnjë e më shumë standardet e mjedisit.

“Shqipëria renditet sot e 23-ta për mjedisin dhe duhet të punojmë me ambicie për ta zgjeruar pozicionin e vendit tonë”, tha Berisha, duke shtuar se, “asgjë nuk është më e lidhur me shëndetin e qytetarëve, sesa mjedisi i shëndetshëm”.

“Shqipëria ka rezerva të mëdha ujore. Ajo ka firmosur kontrata në sektorin privat deri tani për investime e ndërtime të HEC-eve prej rreth 3 miliard euro. Shqipëria ka firmosur kontrata me investitorë privat për prodhimin e biodizelit, dallëndyshja e parë e të cilit është sot ky inaugurim dhe kablli nënujor për transmetimin e saj në Itali”, përfundoi Kryeministri, Sali Berisha.