Lajme Shqip Wednesday, 22 February 2012 14:10

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha, deklaroi sot në mbledhjen e  qeverisë se në Shqipëri për asnjë moment nuk ka pasur ndërprerje energjie për mungesë të saj, por për shkak të defekteve në rrjet.

“Thatësira e tej zgjatur i ka imponuar qeverisë që të marrë fonde nga kontigjenca për të ndihmuar Koorporatën e Energjisë. Parimi jonë është që vendi të mos mbetet pa energji pavarësisht se sa kushton ajo. Javën që kaloi pat një moment kritik për energji në rajon, ku vende të rëndësishme vendosën të bllokojnë në interesin e tyre kombëtar, të bllokojnë eksportet dhe linjat e transmetimit, gjë e cila mund të krijonte një problem të madh. CEZ dhe KESH e kishte siguruar energjinë e shkurtit”, theksoi Kryeministri.

Berisha shtoi se situata në kaskadën e Drinit nuk pritet të ketë ndryshime pavarësisht shkrirjes së dëborës. “Në çdo rast mund të dërgojmë buxhetin në Parlament. Energjia nuk do të mungojë. Ka një përmirësim të situatës. Nuk mund të thuhet se këto sasi reshjesh do të mund të mbushin liqenet, të cilat janë në buzë të vdekjes”, vijoi Kryeministri.

Duke folur për emergjencën në zonat veriore të vendit, kryeministri Berisha vlerësoi punën e bërë deri më tani, teksa theksoi se emergjenca nuk ka përfunduar ende.

“Sot ka vetëm një numër shumë të kufizuar komunash në Alpe, dy-tre prej tyre e kanë të përvitshëm. De fakto, mbi 96% e këtij territori që shtrihej nga Leskoviku në Vermosh, shtrihet sot jashtë emergjencës së komunikimit, por gjendja do të vazhdojë. Qeveria do të vazhdojë punën për hapjen e rrugëve nga fshatrat për në komuna. Shkrirja e dëborës favorizon ortekët. Thirrja ime është që të bëhet evakuimi pasi kjo është një çështje jo shumë e zgjatur. Duhet të shpëtojmë jetët. Janë shpërndarë qindra tonë ndihma, në përputhje me kërkesën e kryetarëve të komunave”, nënvizoi kreu i qeverisë.

Berisha ironizoi edhe kreun e opozitës Rama, që disa ditë më parë foli për tre kriza që kanë përfshirë vendin. “Kasandra që parashikojnë krizë të trefishtë, katastrofë nga bora, nga energjia dhe përmbytja. Nuk është mirë që të ndjellësh të keqen dhe të rrahësh gjoksin me fatkeqësinë. Qeveria ka pasur plane dhe është gjithnjë e përgatitur për emergjencat. Ne mbetemi të përgatitur për një reagim të shpejtë të mundshëm ndaj tyre. Emergjencë do të thotë të shpëtosh njerëzit”, u shpreh Kryeministri.