Lajme Shqip Sunday, 03 April 2011 14:15

Xhaffzotaj (Durrës) – Kryeministri Sali Berisha pasi përuroi sot rrugën Xhafzotaj Fllakë-Bregdet në rrethin e Durrësit, vizitoi mjediset e kompanisë së transportit “Diamant”, pranë rrugës së re në komunën Xhafzotaj, ku premtoi ndërtimin e një mbikalimi mbi autostradën Durrës-Tiranë për t’u dhënë akses bizneseve në nyjen kryesore rrugore të vendit.

Gjatë bisedës me kryetarin e komunës, Agim Hoxha dhe drejtuesin e kompanisë së transportit, Igli Goga Kryeministri vlerësoi punën e bizneseve të ngritura pranë kësaj zone, që sipas të dhënave të komunës arrijnë shifrën e përgjithshme të investimeve 100 milion euro.

Pas informacioneve mbi kompaninë e transportit “Diamant” dhe ndryshimit të fluksit të mallrave me kahje nga eksportet, Kryeministri Berisha tha se “deri tani, eksportet janë rritur në vlerë 62 përqind dhe brenda këtij viti me siguri do të dyfishohen, krahasuar me vitin 2009”.

“Të ardhurat 3-mujore nga tatim-taksat dhe ato të eksporteve janë një tregues shumë i mirë”, nënvizoi Berisha.

Kryeministri vlerësoi se Ligji i amnistisë fiskale që pritet të miratohet në parlament do të ndikojë fuqimisht në ekonominë kombëtare.

Pas kërkesës së komunitetit dhe biznesit të zonës, Berisha premtoi ndërtimin e një mbikalimi mbi autostradën Durrës-Tiranë për t’u dhënë akses bizneseve në nyjen kryesore rrugore të vendit.

Berisha bëri të ditur se menjëherë pas zgjedhjeve të 8 majit, do të kalojë në parlament ligji për rritjen e numrit të taksave në favor të qeverisjes vendore.

“Projekt-ligji është miratuar edhe nga socialistët në komisione, por befasisht ai nuk u aprovua prej tyre në seancën plenare”, u shpreh kryeministri.

“Është një obsesion i kreut socialist Rama për të mos i aprovuar ligjet që paraqet qeveria në parlament. Me frikën se miratimi do t’a afrojë me Berishën, ai harron se, 6 taksat që do t’i kalojnë qeverisë vendore do të afrojnë qytetarin me investimet dhe me përmirësimin e jetesës”, tha Kryeministri Berisha.

Fshati Vëllazërimi i komunës Xhafzotaj ndodhet vetëm 8 km larg Durrësit. Rruga që nis pranë këtij fshati përfundon në bregdetin Adriatik, duke kaluar përmes një sërë fshatrash të komunave Xhafzotaj dhe Katundi i Ri. Ndërtimi i kësaj rruge parashikohet të nxisë investime të tjera, veçanërisht në turizëm.