Lajme Shqip Tuesday, 23 August 2011 08:59

Tiranë – Kryeministri Berisha priti mbrëmë në një takim ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Besim Beqaj, i cili parashtroi një plan zhvillimi dhe bashkëpunimi ekonomik midis dy vendeve.

Zyra e shtypit e qeverisë bëri të ditur se ministri Beqaj paraqiti situatën e ekonomike të Kosovës dhe proceset e privatizimit të sektorëve strategjik të telefonisë dhe energjisë. Ai shprehu besimin se sidomos me kushtet e reja të krijuara, bashkëpunimi i sektorit privat të dy vendeve ka mundësi të rritet edhe më shumë, nga shfrytëzimi  i hapësirës së krijuar nga ndalimi i produkteve serbe.

Beqaj bëri të ditur se sektori  i prodhimit të energjisë është një tjetër sektor me prioritet për qeverinë e Kosovës, ku ka fushë të madhe bashkëveprimi. Kombinimi i burimeve të energjive të rinovueshme të Shqipërisë me burimet e prodhimit të energjisë nga pasuritë natyrore të Kosovës, si lignit, përbën një bazë të fortë për integrimin e sistemeve energjetike të të dy vendeve, tha Beqaj.

Kryeministri Berisha pasi i uroi mirëseardhjen ministrit  të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Besim  Beqaj, shprehu kënaqësinë e tij për vendimet e rëndësishme të qeverisë së Kosovës në lidhje me privatizimet në fushat strategjike, të cilat përbëjnë dhe bazën e reformave themelore ekonomike.

Ai i quajti këto vendime të guximshme si shumë të rëndësishme për zhvillimin e shpejtë ekonomik të Kosovës duke iu referuar shembullit qeverisës të Shqipërisë, e cila falë privatizimeve arriti të ngrejë të ardhurat për frymë nga 204 dollarë në 1992, në rreth 8000 dollarë sot.

Është tashmë e faktuar, tha kryeministri Berisha, që menaxhimi i suksesshëm dhe efiçensa e ekonomisë qëndron në anën e sektorit privat.

Në këtë kuadër ai theksoi se edhe ekonomia shqiptare është bazuar thellësisht në privatizime, të cilat janë drejt përfundimit, duke mbajtur në sektorin publik vetëm disa asete të rëndësishme energjitike, asetet  e sektorit të arsimit dhe të shëndetësisë.
Kryeministri  Berisha tha se qeveria e Kosovës, ashtu si  Shqipëria, duhet ta bazojë rritjen ekonomike të Kosovës dhe të mirëqenies të qytetarëve të saj, në shfrytëzimin efiçent dhe transparent  të pasurive natyrore të saj, sidomos në sektorin e energjisë.

Synimi final i të dy vendeve është dhe duhet të jetë rritja e të ardhurave për frymë dhe përmirësimi  i standardeve të jetesës.  Bashkëpunimet tregtare, në fushën e energjisë, si dhe në fushën e bujqësisë dhe agro-biznesit, janë në qendër të vëmendjes  të qeverisë shqiptare dhe bashkërendimi  i punës në këtë drejtim me qeverinë e Kosovës  është i rëndësishëm për zhvillimin e shpejtë  të ekonomive të dy vendeve.

Kombinimi i burimeve natyrore të prodhimit të energjisë  të të dy vendeve dhe lidhja e sistemeve energjetik  me qëllim unifikimin e tyre, nuk është gjë tjetër veçse rruga drejt krijimit të një modeli të suksesshëm energjetik.

Ndërtimi i linjave të transmetimit si ajo Tiranë-Prishtinë, jo vetëm forcon integrimin e sistemeve energjetike, por rrit edhe efiçencën e funksionimit të tyre, duke kursyer  20% të burimeve energjetike.

Ministri Beqaj e falenderoi edhe njëherë kryeministrin Berisha, për ndihmën e dhënë Kosovës në të gjitha fushat dhe konkretisht në atë ekonomike, duke premtuar për forcimin e bashkëpunimit në fushat e sipërpërmendura. Ai theksoi se qeveria e Kosovës do të vazhdojë me zhvillimin e kapaciteteve termike bazuar në burimet natyrore të Kosovës, të cilat komplementojnë zhvillimin e kapaciteteve hidrike dhe eolike të Shqipërisë.