Lajme Shqip Wednesday, 07 September 2011 13:47

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha deklaroi se eksportet gjatë 8-mujorit të parë të vitit 2011 janë rritur me 25 miliardë lekë apo mbi 250 milion dollarë krahasuar me vitin 2010 dhe kjo, sipas tij, falë modelit të sukseshëm ekonomik të ndërmarrë nga qeveria.

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Berisha theksoi se “kjo është një rritje shumë e rëndësishme, e cila shpreh dinamizmin e admirueshëm të ekonomisë shqiptare dhe është një nga treguesit më thelbësorë të rritjes së konkurueshmërisë në ekonomi, të rritjes së interesit të madh të investitorëve për ekonominë shqiptare dhe një nga treguesit më besnikë të rritjes së investimeve dhe punësimi në Shqipëri”.

Sipas kreut të qeverisë, fundi i këtij viti shënon trefishimin e eksporteve në një hark kohor më pak se 6-vjeçar, duke e konsideruar këtë, “një dëshmi e suksesit të modelit tonë ekonomik”.

“Ky model funksionon, është i qëndrueshëm dhe garanton e mbron vendin nga recesioni e kriza e borxheve që ka përfshirë një sërë vendesh të mëdha e të vogla në Europë. Ky është një lajm shumë pozitiv e inkurajues, por dhe detyrues, që do të thotë se ne do të bëjmë gjithshka për qëndrimet transparente dhe më pak burokratike ndaj biznesit”, theksoi kryeministri.

Ai nënvizoi se katër vite më parë, pavarësisht debateve dhe agresivitetit për të dëmtuar bankat dhe përpjekjeve absurde kundër rritjes së rrogave e pensioneve, modeli ynë ekonomik ia doli të funksionojë dhe është një nga më të suksesshmit.

“Ne do të bëjmë përpjekje më të mëdha për përsosjen e këtj modeli dhe konsolidimin e shtyllave të tij. Është biznesi, dinamizmi, entuziazmi dhe vizioni i tij, ai që ka mbrojtur dhe mbron vendin nga kriza ekonomike. Në disa aspekte në mbështetje të biznesit, ne kemi vendosur standardet më të avancuara që ekzistojnë. Ne jemi bërë vendi i parë me prokurime 100% elektronike, dhe kemi kapur ‘çatinë e botës’ për lirinë e taksave, por kemi sërish punë për të bërë për biznesin dhe thjeshtimin e të gjitha procedurave”, theksoi kryeministri Berisha.

Sipas tij duhet të krijohet një portal më transparent në lidhje me marrëdhëniet administratë-biznes, ndërsa kërkoi  që të përcaktohen të gjitha burimet që ky portal të jetë një nga më të suksesshmit.