Lajme Shqip Thursday, 18 August 2011 19:26

Prishtinë – Masat e reciprocitetit kanë dhënë efekte jashtëzakonisht pozitive, pasi  ndërmarrjet prodhuese kanë rritje të prodhimit dhe konsumatorët po konsumojnë produkte vendore me cilësi, u shpreh sot në Pejë ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj.

Gjatë vizitës në Pejë, ai takoi kryetarin e komunës, Ali Berisha dhe zhvilloi vizita në ujësjellësin rajonal “Hidro Drini” dhe kompaninë prodhuese “Birra Peja”.

Me këtë rast, ministri Beqaj në takimin me kreun e Komunës së Pejës diskutoi masat e reciprocitetit në këtë komunë dhe efektin e tyre në ekonominë vendore dhe për qytetarët e Pejës.

Ai tha se nga informacionet, rezulton se Komuna e Pejës është e furnizuar mjaft mirë, nuk ka mungesa në furnizime, nuk ka ngritje të çmimeve dhe as tendenca të keqpërdorimit të situatës nga bizneset.

“Biseduam mundësitë e tjera zhvillimore të komunës për zhvillimin e sektorit agrar dhe turizmit, ku Ministria e Zhvillimit Ekonomik do të jetë krah saj për të gjetur mundësitë më të mira për zhvillim të potencialeve”, tha Beqaj.