Lajme Shqip Tuesday, 29 March 2011 11:38

Prishtinë – Optimist për miratim të projektbuxhetit më 31 mars në Kuvend të Kosovës, është shprehur të martën ministri për Zhvillim Ekonomik, Besim Beqaj. Sikur se dihet, qeveria do të kërkojë nga Kuvendi i Kosovës miratimin e projektbuxhetit pa hequr dorë nga neni 4, që ka të bëjë me privatizimin e PTK-së.

Ndërkohë, sipas ministrit Beqaj ky nen nuk është në kundërshtim me normat ligjore. Ai është i sigurt se projektbuxheti, që sipas tij garanton zhvillim ekonomik, do të marrë pëlqimin e Kuvendit më 31 mars.

Pavarësisht kundërshtimit të opozitës dhe punëtorëve, qeveria do të vazhdojë procedimin e privatizimit të PTK-së në Kuvend.

“Konsiderohet se neni katër (IV), i përfshirë në ligjin e buxhetit dhe sponsorizuar nga ministria e financave, i plotëson të gjitha kriteret dhe bazën ligjore për të proceduar me privatizimin e Postës dhe Telekomit dhe jam shumë i bindur se kjo do të kalojë, sepse është në të mirë të zhvillimit ekonomik dhe të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai.

Po ashtu, Beqaj heq dilemat e rritjes së pagave në sektorin publik, duke thënë se kjo çështje është përfshirë në projektbuxhet dhe se FMN-ja nuk ka kërcënuar se do të prishë programin “Stand By” për ndihmë buxhetore ndaj Kosovës.

Sipas tij, “politikat e zhvillimit të një vendi varen nga institucionet përgjegjëse dhe ato kanë marrë një vendim, i cili pritet të konfirmohet nga Kuvendi”. Ai nuk beson që dikush në Kuvendin e Republikës është kundër rritjes së pagave dhe një projektbuxheti, i cili do të krijonte mirëqenie të qytetarëve.

Ministri ka konfirmuar edhe angazhimin e qeverisë edhe për luftimin e kontrabandës, sidomos në veri të Kosovë.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik thotë se do të angazhohet edhe për projekte të tjera, si termocentrali Kosova e Re, Hidrocentrali i Zhurit, privatizimi i furnizimit dhe shpërndarjes së KEK-ut dhe ristrukturimi i Kompleksit Trepça. Kurse sfida, sipas tij, do të jenë zhvillimi më i madh ekonomik dhe zbutja e papunësisë dhe varfërisë.