Lajme Shqip Wednesday, 16 March 2011 19:46

Bruksel – Komisioni Evropian të mërkurën e parashtroi propozimin për projektimin e sistemit të ri për standardizim të taksave korporative në suazat e BE-së.

Me propozimin parashikohet ekzistenca e qasjes së përbashkët në llogaritjen e përfitimit tatimor, përmes standardizimit të lehtësimeve tatimore për kompanitë, edhe pse çdo shteti anëtar të Unionit do t’i lejohet vetëm ta caktojë lartësinë e shkallës së tatimit korporativ.

Irlanda ka rezerva drejt modelit të tillë pasi që ka frikë se me vendosjen e tij do të detyrohet ta rritë shkallën e tatimit korporativ, e cili në vend është më e ulëta në suaza të BE-së.

Në Samitin e fundit  të BE-së, Gjermania dhe Franca kërkuan nga Dublini që ta harmonizojë lartësinë e tatimit korporativ me nivelin e anëtarëve të tjerë të Unionit, si kusht për pagim të ndihmës financiare.

Autoritetet irlandeze megjithatë e refuzuan këtë kërkesë me deklaratën se shkalla e ulët e taksave korporative do t’i tërhiqte kompanitë e huaja të investojnë në vend, që do të kontribuojë për rimëkëmbjen e ekonomisë irlandeze e cila është goditur rëndë nga kriza financiare dhe ajo debitore.