Lajme Shqip Tuesday, 31 January 2012 17:00

Tiranë – Projekti prej 2 milionë eurosh i financuar nga Bashkimi Evropian për të ndihmuar modernizimin e doganave shqiptare, u mbyll sot, në një ceremoni ku ishte i pranishëm edhe Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ambasadori Ettore Sequi.

Duke marrë fjalën në këtë aktivitet, Sequi tha se, “kemi shpenzuar 2 milionë euro gjatë 2 viteve të fundit që të mundësojmë ndryshimin e praktikave dhe standarteve të administratës doganore shqiptare drejt një shërbimi të shpejtë, të përpiktë dhe të drejtë”.

“Pikërisht me këto tre elementë në mendje, shpejtësinë, përpikmërinë dhe drejtësinë, u hartua nga ekspertët një Kod i ri Doganor për Shqipërinë, të cilin ia dorëzova Ministrit Bode në qershor 2011”, tha Sequi.

“Çdo hap përpara drejt përfundimit të procesit legjislativ që do ta shndërronte këtë projektligj në ligj është një hap drejt lehtësimit dhe nxitjes së tregtisë, një hap drejt një sistemi doganor më profesional dhe të respektueshëm, një hap drejt rritjes dhe prosperitetit dhe në kohë krize, këto janë qëllime veçanërisht të rëndësishme”, vijoi ai.

Projekti lë pas një projekt-Kod Doganor dhe synon ngritjen e nivelit të shërbimeve doganore në Shqipëri në nivele evropiane.

Rezultatet e këtij projekti e çojnë përpara procesin e integrimit të Shqipërisë, duke e sjellë vendin më afër rrethit të procedurave doganore që kanë lehtësuar tregtinë në BE dhe që e kanë bërë tregun e brendshëm të saj një sukses.

BE-ja e ka mbështetur prej kohësh Shqipërinë për të përmirësuar sistemin e saj doganor. Ky projekt vijoi mbi arritjet e të shkuarës dhe pati objektiva dhe aktivitete të formuluara posaçërisht për të adresuar nevojat specifike të Shqipërisë.

Binjakëzimi mes autoriteteve shqiptare, Administratës Doganore Austriake dhe mbështetjes së Shërbimit Doganor polak solli në Shqipëri ekspertë nga vendet anëtare për të plotësuar legjislacionin e Shqipërisë në këtë fushë, duke e përafruar atë me legjislacionin e BE-së.

Bizneset në BE punojnë në kushte ku mund të planifikojnë ecurinë e punëve, falë procedurave doganore të harmonizuara dhe të thjeshtuara. Këto janë kushtet që ekipi i këtij projekti u mundua të zhvillonte edhe në Shqipëri.

Projekti prej 2 milionë euro zgjati dy vjet dhe u zbatua nga Administrata Doganore austriake me mbështetjen e Shërbimit Doganor Polak.