Lajme Shqip Thursday, 19 May 2011 10:51

Uashington – Dominimi i dollarit amerikan në sistemin valutor ndërkombëtar do të përfundojë deri në vitin 2025, parashikon Banka Botërore.

Euroja dhe juani kinez do të barazohen në sistemin e ri monetar “më shumë valutor”, thekson banka në raportin “Perspektivat e zhvillimit borëror për vitin 2011 – Multipolaritet: ekonomia e re globale”.

“Dominimi i tanishëm i dollarit do të përfundojë edhe para vitit 2025 dhe do të zëvendësohet me sistem monetar, në të cilin dollari, euroja dhe juani do të shërbejnë për valuta të barabarta ndërkombëtare”, pohohet në tekst.

Është theksuar se euroja është rivali “më kredibil” i dollarit, me një vërejtje se – “stausi i tij është në rrugë që të përforcohet nëse me sukses tejkalohet kriza debitore me të cilën tani po ballafaqohet dhe nëse mënjanohen problemet morale lidhur me shpëtimin e vendeve nga euro zona.

Kur bëhet fjalë për Kinën, Banka Botërore potencoi se qeveria e Kinës tashmë filloi ta “internacionalizojë” juanin, duke zhvilluar orfshor tregtinë në këtë valutë dhe e nxit përdorimin e tij në kryerjen e transaksioneve tregtare ndërkombëtare.

“Roli më i madh i juanit do të kontribuojë për zgjidhje të çështjeve për disparitet midis fuqisë së madhe ekonomike kineze në nivel global dhe varshmërisë së madhe të vendit nga valutat e huaja”, thuhet në raport.

Autorët e raportit konsiderojnë se, paralelisht me zhvendosjen e potencialit ekonomik, vendet të cilat me sukses po zhvillohen, përmes rrugës së operacioneve ndërkombëtare tregtaro-financiare do të kontribuojnë për rritje ekonomike në vendet e varfëra.

Gjashtë vendet me ekonomi me zhvillim të përshpejtuar – Brazili, Kina, India, Indonezia, Koreja e Jugut dhe Rusia – bashkarisht do të kenë pjesë më shumë se gjysma në rritjen ekonomike botërore deri në vitin 2025.

Rritja ekonomike e vendeve në zhvillim në periudhën prej vitit 2011 deri në vitin 2025 do të arrijë 4,7 për qind mesatare, ndërsa njëkohësisht shkalla e rritjes në vendet e zhvilluara do të jetë vetëm 2,3 për qind, por këto vende edhe mëtej do të marrin vend të rëndësishëm në ekonominë botërore, parashikon Banka Botërore, duke shtuar se eurozona, Japonia, Britania dhe SHBA-ja do të kenë rol të rëndësishëm në sigurimin e rritjes ekonomike globale.

“Zhvillimi i shpejtë i vendeve me tregje në zhvillim solli deri në ndryshime dhe si rezultat i kësaj deri në risisteminin e qendrave të rritjes ekonomike midis vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim – kjo me të vërtetë është botë multipolare”, deklaroi ekonomisti kryesor në Bankën Botërore, Xhastin Jifu Lin.

Ai nënvizoi se korporatat transnacionale të vendeve dhe tregjeve në zhvillim bëhen fuqi e cila e ndryshon strukturën e industrisë botërore, gjatë zgjerimit të përshpejtuar të rrjedhave të investimeve të huaja direkte në drejtim të vendeve të cilat e ngrejnë rritjen globale dhe në mënyrë të konsiderueshme i rrisin integrimet dhe akuizionet ndërkufitare.

Për këtë arsye, institucionet financiare ndërkombëtare duhet sa më shpejt të përshtaten në ndryshimin e klimës që të mos e humbin aktualitetin e tyre, theksoi Jifu Lin.

Banka Botërore konsideron se ekonomitë në zhvillim të shpejtë, të cilat më parë mbështeteshin në adaptimin teknologjik dhe kërkesën e jashtme, duhet të realizojnë reforma strukturale që t’i japin mbështetje dinamikës së rritjes ekonomike përmes avancimit të produktivitetit dhe realizim të kërkesës stabile vendore.

Me qëllim që t’i jepet mbështetje rritjes dhe të tejkalimit të rreziqeve më të mëdha, vendet në zhvillim gjithashtu duhet t’i reformojnë institucionet e tyre vendore, mes të tjerash, në sektorin ekonomik dhe social, konludon Banka Botërore.