Lajme Shqip Wednesday, 30 March 2011 12:45

Tiranë – Banka Botërore ka rritur vlerën e programit të saj katërvjeçar për Shqipërinë në 300 milionë dollarë. Përfaqësuesja e Bankës Botërore në Shqipëri, Ksenya Lvovsky, tha se kjo rritje është bërë për të shtuar sigurinë e hidrocentraleve, pas  përmbytjeve të vitit të kaluar.

“Programi i Bankës Botërore për të mbështetur Shqipërinë për periudhën 2011-2014, nga shuma fillestare prej 275 milionë USD është rritur në rreth 300 milionë USD. Kjo rritje prej pothuajse 25 milionë USD u bë si pasojë e përmbytjeve të të vitit 2010 dhe do të përdoret për të financuar përmirësimet për sigurinë dhe përdorimin e digave të hidrocentraleve, duke rritur shumën prej 35.3 milionë USD të planifikuar fillimisht për këtë qëllim. Fondet tona do të përdoren për të rritur kapacitetin e hidrocentralit të Komanit, për të rehabilituar portat e të tri digave kryesore në kaskadën e lumit Drin si edhe për të optimizuar funksionimin e të gjithë kaskadës,” tha zonja Lvovsky.

Ajo bëri të ditur se Shqipëria do të bëhet vendi i parë në Europë dhe Azinë Qendrore ku sistemi elektronik i prokurimeve do të përdoret për projektet e financuara nga Banka Botërore.

“Sistemi elektronik i prokurimeve në Shqipëri ka demostruar efikasitet e transparencë në rritje gjatë dy viteve të fundit. Ne kemi përcaktuar një sërë kriteresh për prokurimin elektronik dhe dhe një vlerësim i kohëve të fundit bazuar në këto kritere arriti në konkluzionin se sistemi i prokurimit elektronik në Shqipëri mund të përdoret për projekte që financohen nga Banka Botërore. Pjesëmarrja jonë do të testohet në projektin e rrugëve dytësore dhe lokale, që menaxhohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit,” u shpreh ajo.

Përfaqësuesja e Bankës Botërore njoftoi edhe arritjen e një marrëveshje me qeverinë shqiptare për një kredi prej 25 milionë dollarësh, për të mbështetur politikat e përkrahjes sociale dhe të shërbimeve shëndetësore.