Lajme Shqip Wednesday, 14 December 2011 09:45

Tiranë – Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, në mbështetje të nismës së Bashkisë së Tiranës, për të eliminuar fenomenin e abuzimit me çmimet e ushqimeve, ka vendosur lehtësimin e procedurave  për importin e këtyre produkteve, me qëllim furnizimin e bollshëm të tregut dhe rrjedhimisht ekuilibrimin e çmimeve të tregut.

Përmes një urdhri, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, autorizon të gjitha degët doganore, drejtoritë rajonale, departamentin operativ hetimor, departamentin teknik, të reduktojnë në maksimum kohëqëndrimin e mallrave ushqimore në dogana. Sipas urdhrit, degët doganore do t’i japin përparësi absolute zhdoganimit të fruta- perimeve dhe mallrave të tjerë ushqimorë.

Strukturat monitoruese të Drejtorisë se Përgjithshme të Doganave do të  monitorojnë me rigorozitet zbatimin e këtij urdhri.

Ngritja e çmimeve në prag të festave të fundvitit ka qenë një problem shqetësues i mbartur në vite.

Përfaqësues të biznesit dhe tregtarëve, në takimin që patën me Kryebashkiakun Lulzim Basha, tre ditë më parë, kërkuan që Bashkia e Tiranës të ndërhyjë që Drejtoria e Doganave të mos përsërisë fenomenin e zhdoganimit në mënyrë të diferencuar pasi kjo ndikon drejtëperdrejtë në rritjen e çmimeve.