Lajme Shqip Wednesday, 07 March 2012 17:52

Tiranë -Shtatë prej 20 studiove më të mira arkitekturore të botës do të paraqesin nesër projektet e tyre, për zgjatimin e Bulevardit dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës, një projekt që pritet të ndikojë ndjeshëm në zhvillimin ekonomik të qytetit, punësimin dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve të kryeqytetit.

I lançuar nga Kryebashkiku Lulzim Basha gjatë fushatës elektorale si projekt strategjik, zgjatimi i Bulevardit të Tiranës dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës, ka nisur të bëhet realitet. 

Në Akademinë e Arteve, studiot arkitekturore si DAR Group Turkey & United Kingdom, West 8 – The Netherlands, Albert Speer & Partners – Germany, Cino Zucchi Architetti – Italy, Gerkan, Marg & Partners – Germany, Kees Christianse & Partners – The Netherlands,  Grimshaë Architects – United Kingdom,  do të prezantojnë masterplanet për zgjatimin e Bulevardit, deri tek lumi i Tiranës, me gjatësi 1.7 km dhe për zhvillimin e sipërfaqes përreth saj, prej 132.8 ha. 

Këto studio do të sjellin dhe një masterplan për rehabilitimin e lumit të Tiranës, prej 6.7 km dhe zhvillimin e zonës përreth. 

Shtatë studiot arkitekturore do të paraqesin dhe propozime për zhvillimin e zonës, nga lumi i Tiranës deri në Paskuqan, përfshirë edhe zgjatimin e Bulevardit si dhe për zhvillimin e Kodrave të Paskuqanit.

Projekti më i mirë do të përzgjidhet nga një juri me personalitete të njohura.

Kryetar i Jurisë është Kryetar i Bashkisë së Tiranës, ndërsa në përbërje të jurisë do të jetë: Giles Robin Dolphin ish-Kryeurbanist në Londër dhe Autoritetin e Lartë; Filip Rode drejtor ekzekutiv i Shkollës Ekonomike në Londër për Qytetet dhe i Shoqërisë së Kërkimeve të Larta; Daniel Libeskind, Krye Arkitekti i Studios “Daniel Libeskind” në SHBA; Prof. Dr. Sarah Whiting, dekane e Shkollës së Arkitekturës në Universitetin Rice SHBA; Prof. Dr. Agron Lufi,  Pedagog në fakultetin e  Arkitekturës, në Universitetin e Tiranës; Apollon Bace,  Drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës; Flamur Kuçi, Këshilltar i Kryeministrit Berisha dhe urbanist i njohur; Ulrike Bega, Këshilltare e Kryetarit të Bashkisë, Shqipëri.