Lajme Shqip Friday, 12 August 2011 09:30

Prishtinë – Zv/Kryeministrja dhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, në kuadër të vizitës së saj në Bullgari, u takua me Ministrin e Bujqësisë dhe Ushqimit të Bullgarisë, Miroslav Naidenov.

Qëllimi i takimit ishte thellimi i rrugëve të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, veçanërisht në kuadër të sektorit të produkteve bujqësore, pasi Bullgaria konsiderohet si njëri ndër prodhuesit kryesor të produkteve të industrisë ushqimore në rajon.

“Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të thellojë edhe më tepër bashkëpunimin tregtar në fushën e bujqësisë me të gjitha vendet që kanë kapacitete prodhuese. Kjo vlen posaçërisht në këtë kohë kur kemi vendosur masat e reciprocitetit me Serbinë dhe Bosnjen e Hercegovinën dhe kemi një treg potencial prej 400 milionë euro në vit i cili duhet zëvendësuar me produkte të vendeve tjera”, tha Ministrja Kusari Lila gjatë takimit.

Ndërsa ministri Naidenov, tha se “Bullgaria ka përkrahur Kosovën edhe në kohën e shpalljes së pavarësisë dhe e përkrah fuqimisht edhe sa i përket masave të reciprocitetit”. Ai shtoi më tej se, “ne kemi kapacitete prodhuese që i tejkalojnë nevojat tona dhe mund të ndihmojmë në plotësimin e kërkesave të Kosovës për produkte të industrisë ushqimore, sidomos me grurë, ku ka sasi të konsiderueshme për eksport”.