Lajme Shqip Saturday, 10 December 2011 14:28

Tiranë- Fenomeni ‘ritual’ i rritjes galopante të çmimeve, sidomos në prag të festash, do të parandalohet.

Për të përmbushur këtë qëllim, Kryebashkiaku, Lulzim Basha, zhvilloi një takim me përfaqësues të biznesit dhe tregëtar, ku diskutoi për shkaqet që çojnë në abuzimin me çmimet, një çështje shqetësuese për konsumatorët.

Duke krahasuar praktikën e konsoliduar të uljes së çmimeve, skontove të mëdha, në vendet e Europës, Basha vuri në dukje se në vendin tonë ndodh e kundërta “veçanërisht në sektorin e tregut ushqimor ku kemi një rritje galopante të çmimeve”.

Mbrojtja e konsumatorit nga çmimet abuzive dhe mallrat jocilësore, si dhe mbrojtja e bizneseve nga konkurrenca e pandershme, është angazhimi kryesor i Bashkisë së Tiranës, sipas të cilës, konkurrenca e ndershme është çelësi i tregut të lirë, çmimeve të ulëta dhe mundësive më të mëdha.

“Besoj tek tregu i lirë, nuk besoj në asnjë mekanizëm tjetër, përveç tregut të lirë, për të vendosur çmimin. Kurrë nuk do të lejojmë që të ktheheshim në një institucion që dikton çmimet dhe t’i influencojë ato me politika jasht tregut”, deklaroi Basha, duke kujtuar eksperiencën e vendit tonë në ekonominë e centralizuar të para viteve ’90.

Por rregullat e tregut të lirë, nuk kanë për qëllim që të dëmtojnë interesat e qytetarëve. Basha shprehu vendosmërinë e tij se për këtë çështje, ka një kuadër ligjor dhe moral që do të zbatohet plotësisht dhe fenomeni i spekulimeve nuk do të lejohet më.

Në këtë kontekst, Basha, ftoi përfaqësuesit e biznesit dhe tregëtarëve, që “të hedhim hapat bashkarisht, me marrjen e përgjegjësive respektive, në mënyrë që ky sezon festash, që me vete sjell një konsum të rritur, të sjellë edhë të mira materiale, por mos të kthehet në një ‘gjah’ të padenjë, çmimin e të cilit e paguan konsumatori”.

Në funksion të parandalimit të abuzimeve me çmimet, Bashkia e Tiranës ka ngritur edhe një task-forcë me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Drejtorinë bashkiake të Tatim- Taksave, Policinë Bashkiake, për të evidentuar subjektet që abuzojnë me çmimet.

Agjensia bashkiake për Mbrojtjen e Konsumatorit do të veprojë për tre javë si task-forcë dhe do të marrë masa për bizneset dhe tregëtarët abuzues.

Basha i kërkoi biznesit një sjellje korrekte ndaj konsumatorit, brënda rregullave të tregut të lirë.

“T’i kthejmë Shqipërisë, të paktën këtë vit, standardet evropiane të sjelljes së tregëtuesve karshi konsumatorëve në festat e fundvitit”, deklaroi kryebashkiaku.