Lajme Shqip Friday, 18 November 2011 08:30

Tiranë- Punësimi i të rinjve, duke krijuar kushte favorizuese për biznesin dhe investitorët, është një politikë prioritare e Bashkisë së Tiranës. “Hapja e vendeve të punës është objektivi kryesor dhe brenda këtij qëllimi veçoj punësimin për të rinjtë, të cilët duhet të gjejnë në Tiranë shanse më të mira për punësim, për karrierë”, u shpreh kryebashkiaku Basha sot pasdite, i cili vizitoi fillimin e punës së kompanisë italiane Telemarketing .

Kjo kompani, që përfaqëson interesat e Infostradës në Itali, një prej bizneseve më të mëdha të telekomunikacionit, ka punësuar së fundmi 40 të rinj në veprimtarinë e telemarketingut, duke përdorur teknologjinë e avancuar të informacionit dhe targetuar tregjet europiane.

Duke shprehur kënaqësinë e tij për punësimin e të rinjve, Basha tha se “Bashkia ndihet e lumtur, sepse politikat e saj kanë ndihmuar në fillimin e punës së kompanisë italiane dhe do të vazhdojë të ndihmojë me fillimin e investimeve të tjera në qytet. Kemi hequr 60 tarifa dhe taksa, po punojmë me Koorporatën  Ndërkombëtare që brenda janarit, biznesi dhe investitorët vendas dhe të huaj, të shërbehen në një ndalesë për liçencat dhe lejet që jep Bashkia”.

Basha bëri të ditur se “për të gjitha bizneset që do të punësojnë rishtazi 50 të punësuar do të hiqen taksat lokale për katër vite. Jemi plot besim që çdo investitor në këto kushte do të gjejë ambientin më të përshtatshëm për vende pune në Tiranë”.