Lajme Shqip Thursday, 09 February 2012 19:00

Prej afro 6 muajsh, Banka e Shqipërisë i është rikthyer një politike monetare lehtësuese, duke ulur tre herë normën bazë dhe duke e çuar atë në minimumin historik prej 4.5%. Me këto lëvizje, Banka Qendrore synon të nxisë ekonominë, duke bërë më pak të leverdisshme kursimet dhe më të lirë kredinë. Por, bankierët shprehen se këto ulje nuk duhet të krijojnë shumë iluzione për kredi të lira. Stefano Farabbi, drejtor i përgjithshëm i Bankës Intesa San Paolo, thotë se faktori më i rëndësishëm në përcaktimin e çmimit të kredisë është kosto e rrezikut.

“Banka Qendrore përdor instrumentet monetare që ka në dispozicion. Por, këto instrumente nuk janë gjithmonë të mjaftueshme, sepse për sa i takon çmimit të kredisë, më i rëndësishëm është parimi i kostos së rrezikut. Në kushte të rreziqeve më të mëdha, edhe normat e interesit janë më të larta. Vendimet e Bankës së Shqipërisë mund ta zbusin këtë kosto, por nuk janë të mjaftueshme, sepse pjesa më e rëndësishme, kostoja e rrezikut, përcaktohet nga tregu,” thotë z. Farabbi.

Ai është i mendimit se viti 2012 do të jetë edhe më i vështirë për ekonominë shqiptare, ndërkohë që bankat do të jenë të kujdesshme dhe selektive në kredidhënie. Banka Intesa San Paolo pret që për vitin 2012 të ketë një stabilizim të sasisë kredive me probleme. Por, e kuptuar si përqindje ndaj totalit, zoti Farabbi thekson se kjo do të varet shumë nga aftësia për të dhënë kredi të reja me performancë të mirë. Në fund të vitit 2011, përqindja e kredive me probleme arriti në 18.7%.