Lajme Shqip Wednesday, 02 November 2011 18:41

Rritja e kredisë në muajin Shtator ishte rezultat i gjallërimit të aktivitetit ekonomik dhe i kërkesës në rritje nga biznesi.

Deniz Deralla, drejtor i Divizionit të Kredisë në Credins Bank, thotë se rritja e kreditimit mund të jetë një nga ato sinjale pozitive që ekonomia ka nevojë dhe që mund të ndikojë në rritjen e optimizmit edhe tek individët, që vazhdojnë të jenë më shumë të prirur drejt kursimit.

Sipas zotit Deralla, kredia do të rritet me ritme të kënaqshme edhe në tremujorin e fundit të vitit, jo vetëm për shkak të tipareve sezonale, por edhe falë një besimi të përmirësuar tek aktorët e tregut.

Statistikat më të fundit të Bankës së Shqipërisë treguan se portofoli i kredisë për ekonominë në muajin Shtator u rrit me afro 10 miliardë lekë. Kjo është rritja më e lartë mujore e regjistruar gjatë këtij viti. Rritja vjetore e kredisë në fund të Shtatorit arriti në 14.6%, ndërkohë që në fund të 8-mujorit kishte qënë 12.8%.