Lajme Shqip Thursday, 05 April 2012 15:23

Sistemi bankar shqiptar për dy muajt e parë të vitit 2012 ka realizuar një fitim prej 2.5 miliardë lekësh. Të dhënat e paaudituara, të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, konfirmojnë se performanca financiare është sërish në përmirësim.

Krahasuar me Janarin, fitimi është rritur me 56%, ndërsa krahasuar me dymujorin e vitit 2011 fitimi është rreth tre herë më i lartë. Kriza ka bërë që bankat të jenë më të kujdesshme në kontrollin e shpenzimeve dhe sidomos në standardet e kredidhënies.

Nëse këtë vit bankat po arrijnë fitime më të larta, një ndikim të rëndësishëm po jep ulja e ndjeshme e shpenzimeve për provigjionimin e kredive me probleme. Në fund të muajit Shkurt, kreditë me probleme arritën në 19.1%, nga 18.9% që ishin në fund të Janarit.

Fakti që prej rreth gjashtë muajsh kreditë me probleme po rriten me ritëm më të ulët, ka bërë që bankat të kenë më pak shpenzime të reja për fondin rezervë të humbjeve nga kreditë, me përfitime të qarta në rezultatin financiar. Një rol në përmirësimin gradual të fitimeve të bankave, duke filluar nga mesi i vitit të kaluar, kanë pasur edhe mbajtja e marzheve të larta të interesave.

Kur ekonomia përkeqësohet, risku i përgjithshëm rritet dhe bankat janë të prirura të mbajnë diferenca të larta mes interesave mesatare të depozitave dhe atyre të kredive, për të mbuluar goditje të mundshme.

Rritja e rezultatit financiar ka ndikuar pozitivisht edhe në sigurinë dhe kapitalizimin e sistemit. Treguesi më i rëndësishsëm mbikëqyrës, ai i mjaftueshëmrisë së kapitalit, qëndron në nivelin 15.6%, nga 12% që është minimum i detyrueshëm.