Lajme Shqip Saturday, 09 April 2011 16:55

Tiranë – Banka e Shqipërisë vendosë detyrime më të forta ndaj bankave lidhur me transparencën në llogaritjen e komisioneve dhe normave të interesit.

Ermira Tepelena, përgjegjëse e Zyrës së Rregullimit në Departamentin e Mbikqyrjes, thotë se së fundmi janë miratuar ndryshimet në rregullore, që ju imponojnë bankave më shumë transparencë për kostot që ju ngarkojnë klientëve dhe i ndalon ato të ndryshojnë kushtet në mënyrë të njëanshme. Bankat duhet të raportojnë normat e interesit për depozitat, kreditë si edhe komisionet sipas një formati të standardizuar, të miratuar nga Banka e Shqipërisë, çka do ta bëjë më të lehtë për publikun krahasimin e kushteve të punës mes bankave të ndryshme.

Duke marrë shkas nga precedenti i Tirana Bank para disa muajsh, Banka e Shqipërisë i ka ndaluar bankat të përdorin të ashtuquajturën Base Lending Rate, normë interesi që përcaktohet nga vetë banka. Interesat e kredive, në rastet kur nuk janë fikse,  duhet të llogariten mbi bazën e normave standarde të tregjeve, si Bonot e Thesarit apo Euribori. Në çdo rast, metodologjia e llogaritjes së normës së interesit duhet të qëndrojë e pandryshuar gjatë gjithë kohëzgjatjes së kontratave të kredisë.

Ndryshimet në rregullore vendosin gjithashtu edhe kufizime në penalitetin që klienti paguan në rast të shlyerjes së parakohshme të kredisë. Pas vitit të parë, ky penalitet nuk mund të jetë më i lartë se 2%.