Lajme Shqip Friday, 23 March 2012 16:55

Viti 2012 ka nisur edhe më pozitiv se parashikimet për sistemin bankar, të paktën sa i takon rezultatit financiar.

Të dhënat e paaudituara të Shoqatës së Bankave treguan se për muajin Janar, sistemi bankar arriti një fitim prej më shumë se 1.6 miliardë lekësh, ndërkohë që në të njëjtin muaj të një viti më parë bankat kishin pësuar humbje prej rreth 240 milionë lekësh.

Ky fillim shumë më pozitiv i vitit duket se i detyrohet pikërisht stabilizimit të kredive me probleme.

Për muajin Janar, kreditë me probleme arritën në 18.9% të totalit, nga 18.8% që ishte në fund të muajit dhjetor.

Pavarësisht se norma e kredive me probleme është në nivele të larta, rritja e tyre ka qënë më e kufizuar duke filluar nga muaji Shtator i vitit të kaluar.

Kështu, nëse nga Janari deri në Shtator të vitit 2011 kreditë me probleme u rritën me gati 4 pikë përqindjeje, që nga Shtatori e deri në Janar të këtij viti rritja ka qënë vetëm 0.5 pikë përqindjeje.

Një rritje më e vogël e kredive me probleme do të thotë se bankat po shpenzojnë më pak për fondin rezervë të humbjeve nga kreditë.

Kjo tregon se përpjekjet e bankave për ta vendosur problemin nën kontroll kanë rezultuar efikase në një masë të madhe.

Rezultatet e shpejta në rritje të fitimeve e dëshmojnë këtë më së miri.