Lajme Shqip Sunday, 09 August 2015 12:02

Bankat komerciale të cilat veprojnë në Kosovë, përveç normave të larta të kredive, aplikojnë standarde të dyfishta gjatë procesit të dhënies së kredive për qytetarë dhe bizneset në vend.

Përkundër fitimit të lartë që disa nga to e realizojnë brenda vitit, ato prapëseprapë nuk kanë ndryshuar mënyrën e dhënies së kredive.

Bazuar në të dhënat e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), gjatë tremujorit të parë 2015, neto profiti i realizuar deri në mars shënoi vlerën 19.9 milionë euro, krahasuar me vlerën prej 9.8 milionë euro të regjistruar deri në mars 2014.

Emanuel Bajra, njohës i sistemit bankar-financiar, analist i derivateve, bonove dhe fondeve “Hedge”, me punë në “City of London”, në Londër, thotë se përderisa Eurozona ka një nivel inflacioni prej 1.85% dhe niveli i kamatave nuk e kalon 5%, atëherë pse bankat në Kosovë nuk aplikojnë të njëjtën metodologji të uljes së kamatave, transmeton KosovaPress.

“Një trend krejt tjetër po ndjekin bankat në Kosovë. Ato në vend se të bëhen promotor në stimulimin e ekonomisë, rritjen e vendeve të punës dhe uljen e varfërisë, gradualisht po shndërrohen në institucione që prioritetet e mësipërme i lënë të jenë sekondare duke promovuar kredi me gjoja kamatë të ulët, përderisa kalkulimi i kthimit të një kredie prej 10.000 euro kap shifra kthimi marramendëse deri në 15% , pra 11.500 euro”, thotë Bajra.

Ai po ashtu tha se një fenomen tjetër që e ka vërejtur në Kosovë është edhe reklamimi i kredive nga të gjitha bankat në vend, duke promovuar produkte kreditore me shuma mbi 10 mijë euro pa hipotekë, përderisa konsumatori mashtrohet derisa e gjen veten të obliguar të dëshmojë hipotekë dhe aspekte tjera administrative.

 

Ndërkaq, drejtori i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija, thotë se bankat duhet t’i respektojnë të gjitha këto ligje sa i përket shpalosjes së normës efektive të interesit dhe informatave të tjera që parashihen me ligj. Ai po ashtu tregon se ka raste kur BQK-ja i ka gjobitur bankat varësisht nga shkeljet që ato kanë bërë.

Balija arsyeton aktivitetin e bankave, të cilat në të shumtën e rasteve nuk i përmbahen atyre prod ukteve që i reklamojnë. “Bankat duhet t’i respektojnë të gjitha këto ligje sa i përket shpalosjes së normës efektive të interesit dhe informatave të tjera që parashihen me ligj. Megjithatë ka raste kur konsumatorët të cilët shkojnë në degë nuk kualifikohen për një produkt bankar të caktuar për shkak të profilit të tyre të riskut apo kërkesave specifike për atë produkt… Ne kemi informata nga Banka Qendrore që ka gjobitje për banka komerciale kohë pas kohe varësisht nga shkelja që ndodh megjithëse qëllimi i Bankës Qendrore nuk është që me gjobitë bankat, qëllimi i BKQ-së është që ti mbikëqyrë që ato të mos bëjnë gabime të tilla por ka edhe raste q janë vënë gjobitje të ndryshme nga BQK”, tha Balija.

Në anën tjetër , Besnik Kada, zyrtar për informim në BQK, tha përmes përgjigjeve elektronike se çdo herë kur BQK konstaton se bankat nuk janë në pajtueshmëri me legjislacionin në fuqi, vepron konform kompetencave që dalin nga Ligji i BQK-së dhe Ligji për banka, institucione mikro financiare dhe institucioneve financiare jobankare.

“Një ndër kërkesat e BQK-së në këtë fushë ka qenë shpalosja e të gjitha kostove që ngarkohet klienti me rastin e marrjes së kredive, që kredi-marrësi potencial më pastaj të mund të marrë vendimin adekuat. Tashmë bankat shpalosin të gjitha kostot lidhur me kredinë siç kërkohet në rregulloren e cekur më lartë”, tha Kada.

Sipas tij, nga periudha janar-qershor e këtij viti, BQK ka pranuar gjithsej 74 ankesa.

Ndërsa Fadil Bajrami, zëvendësdrejtor në Raiffeisen Bank, tha se Banka e tij vepron me transparencë të lartë dhe respekton bazat themelore të marketingut. Por, shton se ka raste kur klientët kanë vonesa në kthimin e këstit të kredisë.“Me rastin e promovimit të ofertave për kredi, qoftë për produkte të tjera ose për kredi, Banka Reiffeisen vepron me një transparencë të lartë dhe çdo herë respekton bazat themelore të marketingut, të cilat edhe janë gjithashtu të përcaktuara edhe me rregullore të Bankës Qendrore të Kosovës…Gjithmonë një numër i vogël i klientëve ose një numër i caktuar munden të mos i përshtatet ose të mos i përmbushë të gjitha kushtet që banka i kërkon. Për shembull , nëse në regjistrin e kredive, klientët kanë vonesa apo nuk i kanë kryer për shembull të gjitha obligimet në bankën tonë”, tha Bajrami.

Ndryshe, të dhën at e BQK-së, tregojnë se kreditë e bankave për periudhën tre mujore të këtij viti kanë arritur vlerën prej gjithsej 1.90 miliardë euro, që paraqet rritje vjetore prej 4.3 për qind. Duke arritur vlerën prej 216.3 milionë euro, gjithsej kreditë e reja të lëshuara gjatë tremujorit të parë 2015 u karakterizuan me rritje vjetore prej 8.4 për qind. Ndërsa Norma mesatare e interesit në kreditë ndaj ndërmarrjeve dhe ekonomive familjare në mars 2015 u zvogëlua në 8.9 për qind nga 11.3 për qind sa ishte në mars 2014.