Lajme Shqip Monday, 12 March 2012 13:56

Shpeshherë, momentet e krizës ndryshojnë ndjeshëm strukturën dhe ndarjen e tregjeve, duke nxjerrë në sipërfaqe ata konkurrentë që kanë zgjedhur strategjitë më efikase, në afatin e gjatë.

Tregu bankar po e dëshmon këtë më së miri. Bankat greke po humbasin terren, duke paguar kështu mbështetjen e tepërt tek grupet e tyre mëmë gjatë viteve të kaluara.

Intesa SanPaolo po luan gjithashtu në mbrojtje, ndërkohë që bankat me baza të forta të brendshme, si Raiffeisen, BKT dhe Credins janë në ekspansion.

Raiffeisen Bank ngelet kredituesi më i madh i ekonomisë shqiptare, me 134 miliardë lekë.

Banka më e madhe në vend edhe gjatë vitit të kaluar vazhdoi kreditimin me ritme mjaft të larta, me një rritje vjetore prej afro 26%.

Por rritjen më të lartë të kreditimit më vitin e kaluar e shënuan Banka Kombëtare Tregtare dhe Credins Bank.

Këto dy banka mund të quhen si përfitueset kryesore nga ngërçi që preku një pjesë të mirë të bankave të huaja.

BKT dhe Credins përfituan, duke rritur në mënyrë shumë agresive portofolin e tyre të kredisë dhe pjesën e tyre në tregun bankar.

BKT e rriti kreditimin me 46% dhe deri në fund të vitit të kaluar zotëronte një portofol huash prej afro 84 miliardë lekësh.

Ndërsa Credins Bank e rriti stokun e kredisë në 58.6 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej mbi 45%.

Kështu, vitin e kaluar këto banka morën revansh mbi bankat greke, që deri në vitin 2008 kishin realizuar ritme shumë të larta rritjeje.

Më e madhja e bankave greke, Tirana Bank, ngelet kredituesi i tretë më i madh i ekonomisë, me 58.7 miliardë lekë, por portofoli i saj është tkurrur me 6.5% krahasuar me një vit më parë.

Intesa San Paolo, që ngelet banka e tretë më e madhe në Shqipëri, vitin e kaluar humbi terren në tregun e kredisë, duke rënë në vendin e pestë. Megjithë një rritje vjetore të kredisë me rreth 5%, banka me kapital italian ishte larg ritmit të BKT, Credins dhe Raiffeisen.

Kreditimi i ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2011 është përqëndruar edhe më shumë te 5 bankat më të mëdha të sistemit.

Statistikat tregojnë se 5 bankat më të mëdha zotëronin në fund të vitit 2011 mbi 68% të totalit të kredisë për ekonominë, nga 64% që zinin një vit më parë.