Lajme Shqip Friday, 03 February 2012 16:27

Standardet e kredisë për bizneset janë shtrënguar gjatë tremujorit të katërt të vitit të kaluar dhe bankat parashikojnë që ato do të shtrëngohen më tej gjatë këtij viti.

Sipas vrojtimit të Aktivitetit Kreditues të Bankës së Shqipërisë, faktorët me kontributin kryesor në shtrëngimin e standardeve të kredisë për biznese janë situata e kredive me probleme, problemet specifike të sektorit ku operon biznesi dhe situata e përgjithshme makroekonomike.

Kombinimi i këtyre faktorëve e ka rritur përqindjen e bankave që shprehen për shtrëngim të standardeve në 16 %, ose 6 pikë përqindjeje më e lartë se një tremujor më parë. Bankat kanë shtrënguar standardet e kredidhënies në një masë më të madhe për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe për kredinë për  kapital qarkullues.

Kjo politikë shtrënguese është zbatuar nëpërmjet rritjes së kërkesës për kolateral, rritjes së marzhit për kreditë me rrezik si dhe uljes së maturitetit dhe madhësisë së kredisë, madje, edhe nëpërmjet rritjes së komisioneve. Ulja e marzhit mesatar të kredive është i vetmi kusht që ka zbutur disi zbatimin e standardeve të kredisë.

Kërkesa e bizneseve për kredi është përmirësuar pak në tremujorin e katërt të vitit 2011, megjithëse balanca neto e saj mbetet thellësisht negative. Përmirësimi në kërkesën neto u përcaktua edhe nga ulja e kontributit negativ të faktorit që lidhet me financimin e investimeve.

Për sa i përket tremujorit të parë të vitit 2012, bankat presin vijim të shtrëngimit të standardeve, si për kredinë për investime ashtu dhe për kredinë për kapital qarkullues. Shtrëngimi pritet të ndikojë më shumë kredinë e dhënë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme se sa kredinë për ndërmarrjet e mëdha.