Lajme Shqip Tuesday, 22 November 2011 20:20

Pjesa më e madhe e bankave të sistemit e mbyllën 9-mujorin me fitim.

Sipas të dhënave të paaudituara nga Shoqata e Bankave, nga 16 banka të sistemit, 11 prej tyre kishin rezultat financiar pozitiv, pavarësisht rritjes së ngadaltë të kreditimit dhe shtimit të kredive me probleme.

Veçanërisht bankat më të mëdha vazhdojnë të sigurojnë fitime të konsiderueshme. Raiffeisen Bank për 9-mujorin arriti një fitim prej 4.7 miliardë lekësh, duke barazuar rezultatin që kishte arritur edhe një vit më parë. Ecuri fitimprurëse paraqesin edhe Banka Kombëtare Tregtare, Intesa SanPaolo, Credins Bank dhe Tirana Bank. Të gjitha këto banka janë me fitim, madje e kanë përmirësuar rezultatin krahasuar me një vit më parë.

Nga grupi i gjashtë bankave të mëdha, e vetmja që rezulton me humbje është Alpha Bank. Në gjendje të mirë rezultojnë edhe bankat e përmasave të mesme. Pas problemeve të viteve 2009 dhe 2010, Societe Generale Albania, ProCredit Bank dhe NBG Bank e kanë stabilizuar gjendjen e portofolit të kredisë dhe e kanë kthyer rezultatin financiar në pozitiv.

Paralelisht me rritjen e përmasave, edhe Union Bank po përmirëson rezultatin financiar dhe për 9-mujorin arriti një fitim prej 122 milion lekësh. Banka më në vështirësi në të gjithë sistemin është Emporiki, që prej gati tre vitesh raporton rezultat negative dhe e mbylli 9-mujorin me një humbje prej 535 milionë lekësh.

Ndër bankat e vogla, në përmirësim janë Veneto Banka dhe Banka e Bashkuar e Shqipërisë, ndërsa vazhdojnë të jenë me humbje FiBank dhe Banka e Kreditit të Shqipërisë.