Lajme Shqip Wednesday, 06 April 2011 16:05

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha vlerësoi sot, projektet e financuara nga Banka Gjermane për Zhvillim, të cilën e cilësoi “investitorin kryesor në fushën e ujërave në vendin tonë”.

Në mbledhjen e sotme Këshilli i Ministrave miratoi në parim marrëveshjen ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë për bashkëpunimin financiar për projektin “Masterplani në sektorin e ujit”.

“Ky është një nga projektet më të rëndësishme të vendit. Shqipëria është vend i bekuar me brigjet dhe malet e saj, por para së gjithash me ujërat që i ka pasurinë kryesore të vendit”, tha Berisha.

Ai theksoi se në fushën e ujërave investitori kryesor është Banka Gjermane për Zhvillim që ka investuar nga Kruma deri në Sarandë me dhjetra projekte ujësjellësash dhe kanalizimesh.

“Këto investime kanë mundësuar që një numër i madh qytetesh dhe komunash të vendit të kenë ujë 24 orë. Kjo bankë ka ndërtuar dhe financuar impiante jashtëzakonisht të rëndësishme të pastrimit të ujërave të zeza, si në Golem, Pogradec, Liqenin e Ohrit dhe zona të tjera”, tha Berisha.

Sipas tij “ky masterplan përbën një dokument themelor në qëndrimin ndaj kësaj pasurie të madhe ujore të vendit”.

Në mbledhjen e sotme, qeveria miratoi edhe një tjetër vendim të rëndësishëm që ka të bëjë me financimin e  qeverisë gjermane për programin e mbrojtjes së mjedisit të Liqenit të Ohrit dhe shkarkimin e ujërave të zeza në Pogradec, faza III.