Lajme Shqip Wednesday, 11 April 2012 16:15

Tiranë – Banka e Shqipërisë bëri të ditur të mërkurën, se tregu i Bonove të Thesarit në ankandin e fundit iu përgjigj në masë të mjaftueshme kërkesës së qeverisë për para, ndërkohë që interesat ngelën pothuajse të pandryshuara.

Sipas BSH-së, bonot me afat maturimi 12 mujor u emetuan me një normë mesatare të ponderuar interesi 7.35%, nga 7.33% që ishte në ankandin e mëparshëm. Qeveria siguroi të gjithë shumën që kishte shpallur për financim, në vlerën e 10.6 miliardë lekëve.

Edhe për bonot me maturim 6-mujor investitorët plotësuan të gjithë shumën e kërkuar, prej 6.9 miliardë lekësh, ndërkohë që interesi mesatar i ponderuar qëndroi në nivelin 6.2%, po aq sa në ankandin e mëparshëm.

BSH-ja njofton se në ankandin e së martës u shitën 17.5 miliardë lekë bono thesari , 7 miliardë lekë prej të cilave u financuan nga Banka e Shqipërisë dhe pjesa tjetër nga investitorët privatë.