Lajme Shqip Tuesday, 13 December 2011 17:50

Tiranë – Vitet e fundit, përdorimi i kartave të kreditit, si instrument pagese është rritur edhe në Shqipëri. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, numri i kartave të kreditit në duart e shqiptarëve në fund të muajit shtator ishte pak më shumë se 31 mijë, me një rritje vjetore prej afro 18%.

Karta e kreditit është një ndër produktet më klasike dhe më të përdorura të bankingut për individë. Ajo ju mundëson kryerjen e pagesave automatike brenda dhe jashtë vendit, si edhe në internet.

Me anë të kartës, individi merr akses në një linjë krediti nga banka dhe vlerën që shpenzon ka mundësi ta shlyejë në mënyrë graduale. Pa qenë nevoja të mbani sasi të mëdha cash-i me vete, mund të bëni blerje në terminalet elektronike, që tashmë janë mjaft të përhapura në njësitë e shitjes së mallrave dhe shërbimeve.

Ekspertët shpjegojnë se është e rëndësishme të kuptohet se karta e kreditit nuk është domosdoshmërisht një luks, por një instrument praktik dhe i dobishëm edhe për njerëzit me të ardhura mesatare. Shumica e bankave shqiptare lëshojnë karta krediti Visa apo Master Card.

Kosto e kartës konsiston në një komision vjetor, që për kartat standarde është rreth 20 euro dhe në interesin kreditor, që është në nivele të përafërta me kreditë konsumatore.