Lajme Shqip Wednesday, 23 March 2011 13:42

Tiranë – Rritja e inflacionit e detyron Bankën e Shqipërisë të rrisë normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje, duke e çuar atë në nivelin 5.25%.

Guvernatori Ardian Fullani pranoi sot se rritja e çmimeve të produkteve bazë në tregjet globale është reflektuar në ekonominë shqiptare edhe përtej parashikimeve të Bankës së Shqipërisë. Sipas Instat, në muajin shkurt norma vjetore e inflacionit 4.5%.

Nëse në dy vitet e fundit kritikët e Bankës së Shqipërisë kanë folur për vendimmarrje të ngadaltë, këtë herë ndryshimi i kahut të politikës monetare erdhi edhe më herët se ç’mund të parashikohej. Nëse rritja normës bazë synon të mbajë nën kontroll rritjen e çmimeve e ndoshta edhe të mbrojë monedhën vendase nga një zhvlerësim i mëtejshëm, shtrëngimi i politikës monetare në teori nuk nxit rritjen e kreditimit.

E ndodhur përballë dilemës së çmimeve që rriten nga një anë dhe kreditimit të paktë nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë këtë herë nuk ka hezituar të veprojë në mbrojtje të stabilitetit të çmimeve, që në fund të fundit është edhe misioni i saj ligjor. Por, në momentin kur ndodhemi nuk duhet harruar domosdoshmëria e një rritjeje të shpejtë të kreditimit, sidomos në kushtet kur stimuli fiskal për ekonominë është i destinuar të jetë mjaft i kontrolluar, në mbështetje të objektivit të deklaruar të qeverisë për uljen e borxhit publik.