Lajme Shqip Monday, 09 April 2012 12:15

Tiranë – Ekspertët e ekonomisë gjykojnë se Banka e Shqipërisë është gjithnjë e kujdesshme në ndërhyrjet e saj, për të mos krijuar lëvizje të forta, por gjithësesi janë të mendimit ata, norma e interesit për lekun mund të ulet sërish, në rast se ekonomia shqiptare vijon të rritet me ritme të ngadalëta, nën potencialet e saj.

Arjan Kadareja, anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, në një prononcim për mediat, u shpreh se “vendimi i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për të ulur normën bazë të interesit u mor për të nxitur ekonominë, ndërsa norma e inflacionit është pranë kufirit të poshtëm, të synuar nga BSH”.

Sipas tij, treguesit mikro dhe makro ekonomike janë të ankoruar brenda parashikimeve të Bankës Qendrore, ndërkohë që niveli i inflacionit është nën kontroll dhe kjo mundëson uljen e normës bazë të interesit në nivelin 4.25 %.

“Ekonomia reagoi ndaj ndërhyrjeve të mëparshme të Bankës së Shqipërisë dhe normat e interesit për kreditë në lekë janë sot 2 % më të ulëta. Megjithatë do të duhet ende kohë për të parë efektet e uljes së fundit të normës bazë të interesit”, deklaroi Kadareja.

Sipas tij, Banka Qendrore është e kujdesshme në ndërhyrjet e saj dhe gjithnjë reagon në masën 0.25 % për të mos krijuar lëvizje të forta në treg. “Ekonomia shqiptare është duke u rritur nën mundësitë e saj, për shkak të ndikimeve nga partnerët tanë kryesorë. Duhen nxitje të tjera për ekonominë për të ripasur një rritje ekonomike mbi 5%”, u shpreh Arjan Kadareja. Sipas tij, niveli i kredive është rritur ndjeshëm gjatë vitit 2011, ndërsa kreditë me probleme janë shqetësuese, por bankat janë treguar efikase për të marrë masa mbrojtëse.

Lidhur me këtë argument, Ermelinda Meksi, anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së, gjykon se kërkesa e ulët e parasë në treg nga ana e konsumatorit, por edhe rënia e investimeve, ka bërë që ulja e normës së interesit për lekun të mos reflektojë në mënyrë direkte në ekonomi.

Nga ana tjetër, kushtet e shtrëngimit të politikës fiskale nga qeveria për të mbajtur nën kontroll borxhin publik, kanë bërë të detyrueshme që Banka e Shqipërisë të ndërhyjë më shpesh në ekonomi, për ta bërë atë me të qëndrueshme. Sipas ekspertëve, nëse ekonomia shqiptare vijon një ngadalësim të mëtejshëm, atëherë do të duhet të ketë sërish ulje të normës së interesit për lekun.