Lajme Shqip Wednesday, 31 August 2011 15:15

Tiranë – Banka e Shqipërisë mund ta ulë së shpejti normën bazë të interesit. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, tha sot se rënia e presioneve inflacioniste dhe ecuria nën potencialet e veta e ekonomisë shqiptare mund të jenë premisa për rishikim në ulje të politikës monetare.

Megjithatë, sot Banka e Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 5.25% edhe për muajin e ardhshëm. Guvernatori konfirmoi parashikimin se edhe për pjesën e dytë të vitit ekonomia shqiptare do të rritet me një ritëm pranë vlerës 3.4% të regjistruar në tremujorin e parë.

Sipas tij, ndonëse nuk do të ketë përshpejtim në nivelin e rritjes, ajo do të mbështetet më shumë nga aktiviteti privat e më pak nga stimuli fiskal dhe kërkesa e jashtme. Fullani nënvizoi se sfida kryesore për ekonominë shqiptare është rritja e kërkesës së brendshme dhe kjo kërkon kthimin e optimizmit te individët dhe bizneset.

Ai tha se gjallërimi i kredisë konsumatore në muajt e fundit mund të jetë një sinjal pozitiv. Banka e Shqipërisë vlerëson se zbutja e kushteve të financimit do të sjellë rritje të investimeve të brendshme dhe tregjet financiare po karakterizohen nga ecuri e qetë dhe me prime në rënie të rrezikut. Inflacioni do të vazhdojë rënien pranë objektivit prej 3% të vendosur nga Banka e Shqipërisë, ndërsa efekti i çmimeve të importit në inflacionit do të jetë më i ulët. (LajmeShqip.com)