Lajme Shqip Wednesday, 01 February 2012 19:00

Banka e Shqipërisë konfirmon përkeqësimin e gjendjes së ekonomisë shqiptare edhe për gjysmën e dytë të vitit 2011. Gjatë prezantimit të Raportit të Politikës Monetare për tremujorin e  katërt të vitit të kaluar, në një takim me median, por pa praninë e kamerave, ekspertët e Bankës Qendrore, përmes analizës së treguesve të tërthortë, paraqitën një tablo ekonomike pesimiste.

Kërkesa agregate edhe për tremujorin e fundit vazhdoi të ishte e dobët. Si importet e mallrave të konsumit, ashtu edhe importet e mallrave kapitale rezultuan në rënie, në terma realë. Në rënie rezultoi edhe paga reale në ekonomi, ndërkohë që kredia konsumatore pati një rritje mjaft të ngadaltë.

Sjellja e konsumatorëve ruajti orientimin drejt kursimeve, ndërkohë që edhe investimet private regjistruan nivele shumë të ulëta të rritjes. Duke ju referuar Institutit të Statistikave, ekspertët e Bankës Qendrore konfirmuan një rënie të normës së papunësisë, por nga ana tjetër, vërejtën se numri i të papunëve të regjistruar në ekonomi ka ngelur pothuajse i njëjtë.

Në një kuadër ekonomik të vështirë dhe në përkeqësim, një ndër të paktat lajme të mira për konsumatorët shqiptarë pritet të jetë inflacioni i ulët. Ekspertët e Politikave Monetare presin normë inflacioni nën përgjatë vitit 2012 dhe 2013. Një shembull shumë domethënës i presioneve të dobëta inflacioniste ishte fakti që në muajin Dhjetor të vitit të kaluar, për grupin e Ushqimeve rezultoi në rënie, në kah të kundërt me tendencën e vet sezonale gjatë viteve të mëparshme.

Në analizën e Bankës Qendrore, inflacioni i ulët do të përcaktohet nga kërkesa e dobët dhe thellimi i hendekut negativ të prodhimit në ekonominë shqiptare. Hendeku negativ i prodhimit nënkupton rritjen e ekonomisë nën potencialet e veta, që sipas studimeve të Bankës së Shqipërisë, në afatin e gjatë, është në intervalin 5%-5.5%. Sipas Institutit të Statistikave, në tremujorin e dytë të vitit 2011 ekonomia shqiptare u rrit me vetëm 0.5%, kundrejt një rritje prej 2.8% për të njëjtin tremujor të vitit 2010.