Lajme Shqip Wednesday, 04 May 2011 12:27

Tiranë – Ritmet e rritjes ekonomike kanë prirje ngadalësuese, ndërkohë që punësimi mund të ketë rënie gjatë tremujorëve të ardhshëm.

Banka e Shqipërisë prezantoi sot Raportin e Politikës Monetare për tremujorin e parë të këtij viti. Raporti paraqiti një tablo mjaft të luhatshme të gjendjes së ekonomisë shqiptare, që në këtë periudhë po rezulton gjithnjë e më shumë si një mozaik mjaft i komplikuar për t’i dhënë një pamje të qartë. Megjithatë, duket se tiparet mbizotëruese nuk përshkruajnë një tablo shumë optimiste. Madje, sipas një studimi jo zyrtar dhe jo përfundimtar, Banka e Shqipërisë ka arritur në konkluzionin se potenciali rritës i ekonomisë shqiptare mund të ketë rënë nga 6% që pranohej më parë në një interval mes 5% dhe 5.5%.

Kërkesa e brendshme në vend ka shënuar zhvillime pozitive, për shkak të rritjes së stimulit fiskal, por ulja e këtij stimuli në gjysmën e dytë të vitit e bën një faktor të përkohshëm të nxitjes së konsumit. Një tjetër zhvillim inkurajues në dy muajt e parë të vitit 2011 ishte rritja e kredisë për investime, por megjithatë nga analizat e Bankës së Shqipërisë rezulton se potencialet e pashfrytëzuara në ekonomi vazhdojnë të jenë në nivele të larta.

Nga ana tjetër, pritshmëritë e Bankës së Shqipërisë për inflacionin paraqiten të qëndrueshme, por në rritje, si rezultat i paqëndrushmërisë së çmimeve të produkteve bazë në tregjet ndërkombëtare.