Lajme Shqip Monday, 09 May 2011 10:12

Tiranë: – Pranë Bankës së Shqipërisë është paraqitur kërkesa nga Renis Tërshana për miratimin e rritjes së pjesëmarrjes influencuese të tij në kapitalin aksioner të Bankës Credins sh.a..

Burime nga BSH-ja bëjnë të ditur se z. Renis Tërshana është aksioner i Bankës Credins sh.a. që prej licencimit të saj dhe aktualisht zotëron 19.48 për qind të aksioneve të kapitalit të bankës.

Kjo rritje e pjesëmarrjes influencuese rezulton nga blerja e 1.3 për qind të aksioneve të zotëruara nga aksioneri i bankës, z. Sejdin Zere. Pas këtij transaksioni pjesëmarrja e z. Renis Tërshana në kapitalin aksioner të Bankës Credins sh.a. do të jetë 20.78 për qind.

Shqyrtimi i kërkesës dhe i dokumentacionit shoqërues për rritjen e pjesëmarrjes influencuese të z. Tërshana në masën mbi 20 për qind të aksioneve të kapitalit të Bankës Credins u bë në mbështetje të ligjit nr. 9662, datë 18.12.2006 “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” dhe të rregullores “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së bankave dhe të degëve të bankave të huaja në Republikën e Shqipërisë”, miratuar me vendimin nr. 14, datë 11.03.2009 të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.