Lajme Shqip Friday, 08 July 2011 08:12

Prishtinë – Banka Botërore do të vazhdojë mbështetjen financiare dhe teknike për Kosovën, pavarësisht marrëveshjes së re ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe Fondit Monetar ndërkombëtar për monitorim të stafit.

Përfaqësuesi për Republikën e Kosovës në Bankën Botërore, Konstantin Huber, konfirmoi në Prishtinë mbështetjen e mëtejshme të këtij institucioni për vendin tonë. Pas takimit me zëvendëskryeministren dhe ministren e tregtisë dhe industrisë, Huber përmendi edhe një plan të ri për Kosovën.

“BB është në proces të hartimit të një plani të ri për Kosovën, me qeverinë e Kosovës, përmbajtja e të cilit është duke u diskutuar ende. Por banka botërore është e përkushtuar të vazhdojë me asistencë edhe financiare edhe teknike, të cilën e ka pasur deri tani”, tha Huber.

Huber theksoi se Banka Botërore do të rishikojë programin e ri ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe Fondit Monetar ndërkombëtar për monitorimin e stafit.

“Përkrahja e tanishme buxhetore nga Banka Botërore nuk është e ndikuar nga problemet e vogla që i keni pasur dhe projektet investuese të Bankës Botërore, sipas definicionit, janë të pavarura nga vlerësimet e FMN-së”, potencoi Huber.

Duke e vlerësuar si të kënaqshme marrëveshjen e re të arritur në mes FMN-se dhe Qeverisë së Kosovës, Huber, tha se disa kritere të vlerësimit strukturor janë të vështira për t’u përmbushur. Por, theksoi se disa probleme duhet të zgjidhen nga ekzekutivi i vendit, sidomos në fushën e shpenzimeve në sektorin social. Ai nuk saktësoi se kur do të ofrohen mjete financiare nga ky institucion dhe as për cilët sektorë.

Ndërkaq, ministrja e tregtisë dhe industrisë, Mimoza Kusari Lila tha se në takim është diskutuar për vazhdimin e projekteve, pastaj për përpjekjet e qeverisë për të përmirësuar ambientin e biznesit dhe për ndihmën që mund të marrë Kosova nga grupi i Bankës Botërore.

Përfaqësuesi për Kosovën në Bankën Botërore, Konstantin Huber, u prit edhe nga ministri i Financave, Bedri Hamza. Ai konfirmoi përkushtimin e Qeverisë për të pasur një buxhet të balancuar dhe e njoftoi z. Huber për procesin dhe reformat e ndërmarra në sferën e menaxhimit të financave publike si dhe për hapat të cilët janë marrë për zgjidhjen e nevojave shoqërore. Gjatë takimit u diskutuan edhe projektet strategjike të Kosovës në sektorin e energjisë, infrastrukturës dhe roli i këtyre projekteve në zhvillimin afatgjatë në ekonominë e Kosovës.