Lajme Shqip Thursday, 02 February 2012 20:00

Ndërtimet pa leje nuk janë frenuar, ndonëse në vitin 2006 nisi proçesi i legalizimeve. Raporti i Bankës Botërore për çështjen e pronave, publikuar së fundmi, tregon se përveç 350 mijë ndërtimeve pa leje të deklaruara në shkurt të vitit 2006, kur hyri në fuqi ligji dhe mbaroi fotografimi ajror i objekteve, janë ndërtuar dhe 80 mijë ndërtime të tjera pa leje.

Raporti thekson se procesi i legalizimit nuk e ka ndërprerë aspak fenomenin e ndërtimeve pa leje, përkundrazi vazhdon të ngrihen objekte në të gjithë vendin, duke anashkaluar rregullat urbanistike. Sipas ligjit, duhet të prishen të gjitha ndërtimet pa leje që do të bëhen nga momenti i përfundimit të fotografimit ajror, që është mbyllur në muajin shkurt të vitit 2006.

Në bazë të fotografimit ajror u krijua harta dixhitale dhe aty u hodhën të gjithë të dhënat e marra nga vetdeklarimi dhe verifikimet në terren. Çdo ndërhyrje në ortofoto quhet e paligjshme dhe dënueshme. Por, ndërkohë shumë qytetarë pavarësisht se e kishin kryer vetdeklarimin, duke vendosur dhe 4 fotot e objektit, kanë bërë shtesa katesh apo anësore, me idenë se mund t’i legalizonin dhe këto duke ndërhyrë gjatë procesit në hartën dixhitale.

Dikush tjetër dhe ka guxuar të ngrejë ndërtime të reja. Burime zyrtare nga Inspektoriati i Ndërtimit, i cili ka për detyrë të kontrollojë territorin dhe të shembë ndërtimet pa leje, thane se shifra mbi 80 mijë ndërtime pa leje është e ekzagjeruar, pasi sipas tyre gjatë këtyre 6 viteve të fundit janë kryer më pak ndërtime pa leje.