Lajme Shqip Monday, 14 November 2011 17:15

Banka Botërore ka miratuar kredinë prej 20 milionë dollarësh për sektorin e bujqësisë në Kosovë. Ministri i bujqësisë, pylltarisë dhe zhvillimit rural, Blerand Stavileci, theksoi se kredia është me kushte shumë të favorshme për Kosovën, dhe se do të ndikojë në zhvillimin e këtij sektori.

Ministri i bujqësisë, pylltarisë dhe zhvillimit rural, Blerand Stavileci, vlerësoi se kredia e Bankës Botërore në vlerë prej rreth 20 milionë dollarësh apo rreth 15 milionë eurosh, do të ndikojë dukshëm në zhvillimin e sektorit të bujqësisë. Projekti përbëhet prej tri komponentësh: transferimi i njohurive në sektorin rural, komponenti i dytë me pjesëmarrjen më të madhe buxhetore, ka të bëjë me rritjen e investimeve për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm rural, kurse komponenti i tretë përfshin menaxhimin e projektit, koordinimin monitorimin dhe vlerësimin e zbatimit të tij.

 “Grantet që hyjnë në kuadër të kësaj shume, që është 17 milionë të vlerës, që paraqet 85 përqindëshin e totalit, do të jenë të orientuara për sektorin e blegtorisë dhe atë të hortikulturës. Lartësia e granteve do të jetë prej 30 mijë eurove deri në 200 mijë euro”.

 Grantet do të dedikohen për programe të caktuara siç janë: ngritja e plantacioneve të reja me pemë e perime, përmirësimi i infrastrukturës në fermë, pajisjet për ftohje e ruajtje, pikat e grumbullimit, pajisjet bujqësore etj.

Buxheti i paraparë për bujqësinë për vitin 2012 është mbi 21 milionë euro, ndërkaq me përfshirjen e këtyre dy projekteve në buxhet, vlera arrin në rreth 26 milionë euro.

Ky projekt i Bankës Botërore fillon më 1 janar të vitit 2012 dhe përfundon më 31 korrik të vitit 2017. Norma e interesit është zero dhe fillon të zbatohet nga viti 2021, me periudhë maturimi prej 20 vjetësh, dhe këto mjete realizohen përmes buxhetit të shtetit.