Lajme Shqip Thursday, 07 April 2011 09:07

Tiranë – Banka Botërore vlerëson sistemin elektronik të prokurimit publik në Shqipëri dhe e propozon atë si sistemin e parë në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, për t’u përdorur për projektet e financuara nga Banka Botërore.

Sipas zyrës së shtypit pranë qeverisë, Banka Botërore ka njoftuar zyrtarisht qeverinë shqiptare, nëpërmjet përfaqësueses së saj në Shqipëri, Kseniya Lvovsky, se pas vlerësimit të hollsishëm të sistemit elektronik të prokurimit publik në Shqipëri ka konluduar se ky sistem gëzon integritet dhe siguron konfidencialitetin e procesit.

Ky vendim i Bankës Botërore vjen në përfundim të një misioni të BB mbi prokurimin elektronik, i cili vizitoi vendin tonë në muajin Mars 2011.

Bazuar mbi këto vlerësime Banka Botërore ka vendosur të propozojë sistemin shqiptar të prokurimit publik elektronik si sistemin e parë në rajonin e Evropës dhe Azisë Qëndrore për tu përdorur për projektet e financuara nga Banka Botërore.

Sistemi shqiptar do të jetë sistem pilot në sistemin e prokurimit elektronik të BB, për projektet e rrugëve sekondare dhe lokale së bashku me Fondin Shqiptar të Zhvillimit.

Ky vendim i BB jo vetëm certifikon standartin e lartë dhe unik që Shqipëria ka vendosur nëpërmjet adoptimit të prokurimit elektronik për të gjitha prokurimet publike por tashmë, në vijim edhe të cmimit që OKB i dha Shqipërisë në vitin 2010, e përcakton këtë sistem si një model dhe praktikë të mirë për tu përdorur nga një organizëm prestigjoz si Banka Botërore.

Ky vendim konfirmon gjithashtu rezultatet e qëndrueshme të luftës kundër korrupsionit të qeverisë shqiptare dhe përmirësimit të klimës së biznesit nëpërmjet reformave për modernizimin dhe reformimin e proceseve të ndryshme të administrimit.