Tregu i banesave po kompenson rënien e çmimeve të shit-blerjes, me një rritje të qirave. Informacioni i Bankës së Shqipërisë tregon se indeksi i çmimit të banesave për Tiranën në tremujorin e fundit të vitit të kaluar shënoi një rënie me 1.4%.
I deflatuar me indeksin e çmimit të konsumit, ndryshimi vjetor real në këtë tremujor ishte -3.8%. Ndërkohë, indeksi i qirasë për të njëjtën periudhë shënoi rritje me rreth 17.3% në terma nominalë dhe rritje me rreth 16% në terma realë.
Rritja tremujore e këtij treguesi është e ndikuar pjesërisht nga sjellja sezonale në fundin e vitit. Por rritja e qirave shkon edhe përtej efektit sezonal, po të kemi parasysh se edhe krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, çmimet janë shtrenjtuar me 8.8%. Të marra së bashku, zhvillimet më të fundit në tregun e banesave tregojnë se çmimet e shitjes së tyre kanë filluar të bien krahasuar me çmimin e qirasë.
Kriza ekonomike ka sjellë ulje të kërkesës për të blerë banesa. Pamundësia për të blerë një shtëpi bën që më shumë individë ta zgjidhin problemin e strehimit nëpërmjet qirasë, çka ka rritur kërkesën dhe çmimet
Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo prirje e kundërt e çmimeve të shitjes dhe të qirave, tregon se në tregun e banesave nuk kemi të bëjmë me një të ashtuquajtur “flluskë”. Tregu vazhdon të ketë kërkesë, por ajo është zhvendosur nga blerja e banesave, tek marrja me qira e tyre.